Haradinaj reagon pas arrestimit të tre personave për vrasjen në Gllogjan

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përshëndetur lajmin për arrestimin e tre personave të dyshuar për vrasjen në Gllogjan të Deçanit.

Ai tha se ky është një mesazh i qartë se drejtësia do të arrijë te secili.

“Përshëndes kapjen e autorëve të krimit që ndodhi në Gllogjan disa javë më parë. Ky është një mesazh i qartë se askush nuk mund të fshehet pas krimit dhe se drejtësia do të arrijë te secili.” Shkroi Haradinaj në një postim në Facebook.

Tutje ai i përgëzoi organet e rendit dhe drejtësisë për, siç tha, punën e tyre intensive në dobi të ndriçimit të rastit që i ka tronditur të gjithë.

Tre persona ishin vrarë dhe një tjetër ishte plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në drejtim të një autobusi në fshatin Gllogjan të Deçanit, më 26 nëntor.