Haradinaj: Ta pranonte Kurti planin e amerikanëve, asnjë terrorist nuk do të mund ta kalonte kufirin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka dënuar edhe njëherë sulmin terorist ndaj Policisë së Kosovës duke ia lënë fajin Serbisë.

Sidoqoftë, ai drejtoi gishtin kah kryeministri Albin Kurti, i cili sipas Haradinajt i prishi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kishin propozuar një marrëveshje e cila po të pranohej, nuk do të kishte mundësi të ndodhte sulmi terrorist i së dielës.

“Po të implementohej marrëveshja e arritur, Kosova do ta kishte të nënshkruar partneritetin për paqe. Dy vjet përpara i kam dërgu letër Kurtit, presidentes Osmani edhe ja ku është dita kur duhet me i folë këto”, ka thënë Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.

“Ua kam kërku, mbështetnu te Uashingtoni për marrëveshje. Kryeministri Kurti e ka zgjedhur të kundërtën, Borellin dhe Lajçakun, dhe i ka ikë Uashingtonit, i ka prishë marrëdhëniet me ta, dhe e ka prishë besimin me ta”.

“Pse zgjodhi Kurti Borellin dhe Lajçakun dhe jo Uashingtonin ju lutem para dy vjetësh?”

“Sikur Kurti, Osmani e Konjufca ta kishin zgjedhur Uashingtonin dy vjet më herët, do ta kishim marëveshjen për njohje me Serbinë.

“Sikur ta pranonte planin e amerikanëve për tabela në veri do ta kishim veriun e integrum dhe nuk do të kishim përballje me terroristët, do ta kishim partneritetin për paqet të nënshkrum dhe Kosovën në proces të anëtarësimit në NATO. Do të patrullohej vija e gjelbër e kufirit me Serbinë, me KFOR-in dhe me policinë tonë dhe sot nuk do të kishte mundësi asnjë terrorist me e kalu kufirin dhe me e rreziku Kosovën”.