Reagon Molliqaj: Ata që nuk e mbrojnë UÇK’në, marrin pozicion kundër saj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka bërë një reagim pas arrestimit si rezultat i një aktiviteti të këtij subjekti politik pranë vendit ku po mbante konferencë Ekaterina Trendafilova, kryetare e Gjykatës Speciale.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Molliqaj ka vlerësuar se mbrojtja e UÇK’së është detyrë e kohës, derisa ka shtuar se ata që nuk e mbrojnë, marrin pozicion kundër Ushtrisë Çlirimtare.

“Kur nuk e mbron UÇK-në, tashmë je rreshtuar. Ke marrë pozicion, kundër UÇK-së. Prandaj i arreston ata që e mbrojnë. Prandaj i mbron, i ngritë lartë, e u jep pozita atyre që e luftojnë”, ka shkruar ai.

Tutje, Molliqaj ka pasur kritika edhe për pushtetin, duke akuzuar se të njëjtit po “ia japin zemër” fraksioneve brenda policisë që sipas tij, janë kundër UÇK’së.

Ky është reagimi i parë i Molliqajt pas arrestimit nga Policia e Kosovës, derisa ai dhe partia e tij po zhvillonin një aktivitet në prani të objektit ku mbante konferencë Trandafilova.