Haxhiu: Thaçi dhe PAN e kanë sjellë Kosovën në situatë të palakmueshme diplomatike

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me ShBA, dhe kryeministri ynë do të jetë faktor bashkëpunimi me aleatin tonë strategjik.

Por sipas saj Thaçi dhe PAN vërtet e kanë sjellë Kosovën në situatë të palakmueshme diplomatike.

“Këtë tarifën, që gabimisht menduan se ishte taksë, e ka vendosur pikërisht qeveria e PAN-it.

Dialogun e pabarabartë në Bruksel, ku e normalizuan Serbinë dhe ia përmirësuan imazhin, e ka filluar pikërisht Hashim Thaçi. Tash Thaçi ia ka hapur derën Vuçiqit edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe shkëmbimin e territoreve, edhe “zajednicën”, i ka sjellë në tryezë Thaçi, siç u mor vesh edhe nga marrëveshja sekrete që lidhi në 2013.

Ndërsa qeveria e zhvillimit dhe e drejtësisë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është e vetmja që ka prezantuar një plan për ta hequr tarifën, sipas kërkesave të ShBA-së. E vetmja kërkesë e qeverisë Kurti është që edhe Serbia t’i ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo krejt në fund ka thënë se në vend që të bashkoheshin në mbështetje të kësaj kërkese dhe në mbështetje të Kosovës, Thaçi dhe PAN po e vazhdojnë politikën e njëjtë, duke pranuar se Kosova vlen më pak se Serbia, pra duke e forcuar Serbinë.