Hodaj: Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të marrë disa vite kohë

Avokati, Taulant Hodaj tha se fakti që janë mbi 300 dëshmitarë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, lë të kuptohet që procesi gjyqësor ndaj tyre do të marrë edhe disa vite kohë.

Madje sipas tij, zgjatja e këtij procesi ka zënë të papërgatitur edhe vet Gjykatën Speciale dhe Prokurorinë.

“Edhe vet Gjykata Speciale dhe Prokuroria janë zënë të papërgatitur. Nuk e kanë menduar që do të marrë kaq shumë kohë. Gjykata Speciale është dashur të jetë më e përgatitur. Por, kjo 312 dëshmitarë veç të Prokurorisë, lë të nënkuptojë që do vazhdojë me shumë vite”, deklaroi Hodaj në emisionin “Këndi i Debatit”.

Hodaj më tej tha se duke pasur parasysh praktikën e Tribunalit Ndërkombëtar, ky proces do të marrë disa vite kohë derisa të përfundojnë të gjitha shkallshmëritë e Gjykatës Speciale.