Hoti kritikon Qeverinë për dialog, ekonomi dhe strategji

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka numëruar ato që Qeveria i ka premtuar, që sipas tij do të duheshin të bëheshin dhe ato që pushteti karakterizohet me to.

Hoti ndër ato që nuk janë realizuar përmend çerdhet e premtuara, banesat për çifte, njohjet e Kosovës e të tjera.

Ndërkaq ato që e karakterizojnë këtë Qeveri ai tha se janë migrimi i madh i rinisë, problemet në veri e të tjera.

Postimi i plotë:

Sot, pas dy vitesh qeverisje, do të duhej:

– lehtësisht të identifikoheshin projektet investive (së paku të nisura) dhe vendet e krijuara të punës,

– të numëroheshin çerdhet e ndërtuara,

– të numëroheshin banesat e ndërtuara për familjet e reja,

– të vëreheshin reformat në arsim e shëndetësi,

– të niste punën Fondi Sovran me pasuritë e AKP-së,

– të jepeshin kredi me norma të ulëta nga Banka Zhvillimore,

– të numëroheshin njohjet e reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë.

JO, asnjëra nga këto nuk shihet as në horizont. Dy vite të qeverisjes, karakterizohen me:

– numrin e madh të rinisë që kanë emigruar,

– probleme në veri,

– kaos në energjetikë,

– mungesë e barnave dhe emigrim i mjekëve,

– valë të njëpasnjëshme të privatizimit të aseteve të AKP-së,

– ulje e pagave reale,

– mungesë e investimeve kapitale,

– rritje e deficitit tregtar me 1 miliard euro,

– kthim i Serbisë në partner kryesor tregtar në rajon me 371 milionë euro import,

– futja e dialogut në udhë pa krye,

– acarimi i marrëdhënieve me miqtë,

– protesta të sindikatave dhe ditë të humbura të mësimit.