Ismaili i kundërpërgjigjet Kusarit që e quajti “idiot patetik”

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i është kundërpërgjigjur shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila gjatë një bisede me Sllavko Simiqin e Listës Serbe, dëgjohet duke e ofenduar Ismailin, teksa e cilëson atë si “një idiot patetik”.

Ismaili, në një intervistë të dhënë në Debat Plus u shpreh se nuk ishte e lehtë për ta dëgjuar një gjuhë të tillë nga Kusari.

“Nuk ka qenë e lehtë, të dëgjosh duke të ofendu dikush në mënyrë personale. Kusari – Lila, e ka konsideru me më quajt ashtu për shkak të qëndrimeve publike, e kam kritiku atë është e vërtetë”, u shpreh ai, të mërkurën mbrëma.

“E kam kritiku publikisht kur ka thënë Listës Serbe pse s’po dilni edhe ju me protestu me veteranët, ka qenë e ulët, josensitive. Me pa Simiqin me dikë që i ka humb gjymtyrët pikërisht nga regjimi që i jep llogari, për mua ka qenë fyerje kombëtare. T’i thuash Listës Serbe dil përkrah, mu ka duk që i ka thënë jeni njësoj. Kam konsideru që duhet të distancohet nga deklarimi i saj”, shtoi ai.

“Nuk e kam komentu shumë… Për herë të parë e kam lexu në një postim, kur e lexon diçka dhe kur e dëgjon, më e vështirë është me dëgju, por kur e sheh çka është thënë më duket se më së paku është ofendu. Kur i sheh se miliona euro të qytetarëve, kur folët me Radojçiqit, po jemi dakordu për rrymën në veri, konsideroj që është djersë e popullit”.

Ismaili, po ashtu tha se e ka tejkaluar ofendimin që ia ka bërë Kusari-Lila, teksa shtoi se me këtë të fundit ka pasur shoqëri shumë të mirë kohë më parë.

“Kemi pasur shoqëri të mirë, por se kom ditë që është këputë kaq shumë. Jam njoftë e kemi pirë kafe shumë. Nuk i bie pishman për shoqëri, mendoj se çka kam pas dhe çka kam, i them publikisht. Për mu apo për kolegë, Kusari ka mundur vetëm me një kërkim falje dhe me u harru, po të ishin vetëm këto. Por kjo është çështje më serioze”, theksoi ish-deputeti i PDK-së.