Iu përmend emri për blerje votash, Shkumbin Demalija flet për akuzat ndaj tij

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, ka folur rreth video-incizimit që është publikuar në media ku i përmendet emri kinse për blerje të votave.

Ai ka thënë se edhe pse ka heshtur para publikut, ka ndjekur procedurat për denoncim të portalit që ka publikuar këtë video-incizim.

“Unë kam hesht për publikun sepse nuk kam njohuri se kush e ka bërë videon, por kam njohuri për gazetën të cilën e ka publikuar këtë video-incizim. Unë nuk e njoh askënd në atë video që përmendet aty, nuk janë të vërteta ato që thuhen pasi që unë nuk jam pjesë e asnjë blerje votash. Së pari i jam drejtuar policisë për të denoncuar rastin, por më kanë njoftuar se Prokuroria tashmë ka hapur rast dhe më kanë këshilluar të vazhdoj me denoncim civil. Në redaksinë e Insajderit është dërguar kërkesa ime për demantim dhe duhet të pres 48 orë për përgjigjen e tyre, por në rast se nuk publikohet demanti dhe kërkim falja atëherë mund të vazhdoj me padi për shkak të fyerjes që më është bërë nga ky medium“, ka thënë Demaliaj në RTV Dukagjini.

Ai ka thënë se nuk i mohon personat që flasin në video, ndërsa ka thënë se ai nuk ka pasur nevojë asnjëherë që të marrë vota nga Qendra e Numërimit, pasi që votat ia kanë siguruar qytetarët.

Në anën tjetër, Vehbi Kajtazi nga Insajderi ka thënë se procedurat që Demaliaj është duke ndjekur janë normale, ndërsa e ka inkurajuar atë që rastin ta dërgojë direkt në Gjykatë.

Deri më tani dy persona që flasin në video janë arrestuar me urdhër të prokurorit nga Policia e Kosovës.