Ja pse u sulmua gjyqtari i Gjykatës së Vushtrrisë, Rifat Bllata

Është sulmuar fizikisht Gjyqtari Mbikqyrës i degës së Vushtrrisë në kuadër të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Rifat Bllata.

Rastin e ka konfirmuar për gazetën veriu.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka thënë se gjyqtari i degës së Vushtrrisë është sulmuar ditën e djeshme nga një person i panjohur.

“Nga informatat që posedoj mund të them se është sulmuar gjyqtari i degës së Vushtrrisë dhe rasti është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar, kurse personi i dyshuar është në ndalim policor.” – ka thënë Zahiti.
Veriu.info mëson se bëhet fjalë për gjyqtarin Rifat Bllata, që është sulmuar nga një person, pasi që ky i fundit është dënuar nga gjyqtari për një vepër të kryer më herët.

Veriu.info ka kontaktuar edhe gjyqtarin Bllata por i njëjti nuk ka dashur të prononcohet për rastin./veriu.info/