Kandidati i opozitës shpallet zyrtarisht kryebashiak i Stambollit

Kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu ka marrë zyrtarisht mandatin si kryebashkiak i Stambollit, me gjithë apelimet e bëra nga partia AK e presidentit Erdogan, që kërkoi përsëritje të zgjedhjeve.

Gati tre javë pas zgjedhjeve, Imamoglu nga Partia Popullore Republikane ka marrë sot formalisht mandatin për qytetin më të madh të Turqisë, pasi ishin rinumëruar më parë një sërë rajonesh të kontestueshme të Stambollit.

Menjëherë pas raportimit të lajmit një turmë e madhe njerëzish dolën për të festuar jashtë ndërtesës së bashkisë. Imamoglu, në një fjalim të mbajtur para mbështetësve u shpreh: “Nuk u dorëzuam kurrë. Kurrë nuk u dorëzuam në betejën tonë për demokraci dhe të drejta”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ka të tjera procese në vazhdim…”, shtoi ai. Imamoglu fitoi garën për qytetin më të madh ekonomik të Turqisë, duke i dhënë fund dominimit gati 25-vjeçar të tij nga partia e Erdoganit.

Ndonëse vet Erdogan nuk ishte pjesë e garës së zgjedhjeve lokale, ai u kthye në “fytyrën” e fushatës, duke përdorur një retorikë të ashpër kundër opozitës, dhe duke kërkuar votën pro tij si një çështje të mbijetesës kombëtare. Disa nga mediat më të rëndësishme ndërkombëtare e interpretuan humbjen e Ankarasë dhe Stambollit si fillimin e fundit të pushtetit të Erdogan.