Kasapi shqiptar masakron me thikë bashkëshorten

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Suzzara, në provincën e Matovës në Itali. Sipas raportimit që bëjnë mediat italiane, një 48-vjeçar shqiptar ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij 37-vjeçe. Çifti mësohet se ishte në proces divorci, ndërsa ngjarja e rëndë ka ndodhur në parkingun e një qendre tregtare. Të pranishëm kanë qenë edhe një numër i madh dëshmitarësh.

Gruaja është qëlluar disa herë me thikë në trup dhe aktualisht ndodhet e shtruar në spitalin e qytetit në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. 48-vjeçari shqiptar me profesionin kasap është vënë në pranga me akuzën e tentativës së vrasjes. Sipas hetimeve të para, motivi i këtij krimi është asistenca ekonomike që pas divorcit bashkëshorti duhet të paguante për 3 fëmijët e tyre.

Kanë qenë kalimtarët e rastit që pas thirrjes për ndihmë të gruas kanë mundur ta shpëtojnë nga goditjet me thikë që mund të kishin qenë dhe fatale. 48-vjeçari shqiptar ka tentuar t’i shpëtoj forcave të policisë duke fshehur dhe thikën e krimit, por një patrullë policie me rreth 40 forca kanë rrethuar zonën e pas gati një orë nga ngjarja e kanë vënë në pranga. Shqiptari ka tentuar dhe të hidhet nga një mur i lartë mbi 2 metra por është bllokuar nga policia.