Kelmendi: Vetëvendosje është dinake, ia la “pataten e nxehtë” LDK’së

Biznesmeni i njohur dhe anëtari i subjektit politik PDK, Ramiz Kelmendi, po e quan Lëvizjen Vetëvendosje si dinake dhe se i la “pataten e nxehtë” Lidhjes Demokratike të Kosovës në mes të pandemisë.

Kelmendi po fajëson Lëvizjen Vetëvendosje se ka ikur me dinakëri nga pushteti dhe përgjegjësitë për të qeverisur në vend.

Ai thotë se ikja nga pushteti e Vetëvendosjes ishte edhe një formë taktike e tyre për t’u mos u përballuar me pandeminë.

“Vetëvendosje duke ditur se pandemia shkakton një rënie ekonomike dhe politike u tërhoq në mënyrë profesionale dhe dinake në mënyrë që ta vendosë ‘pataten e nxehtë’ këtyre që po mendojnë që kanë kuadro për të mundur të përballojnë pandeminë. Pra, kjo është një formë taktike e Vetëvendosjes e tërheqjes së tyre për të mos u përballuar me problemet e pandemisë që janë shumë më të mëdha se që janë. Pandemia nuk është lojë si në aspektin shëndetësor dhe ekonomik”, theksoi Kelmendi.

Kelmendi po kërkon që të zgjerohet koalicioni qeverisës dhe të bëhet pjesë e qeverisë edhe partia e Kadri Veselit, ai thotë se PDK’ja mund të jetë vlerë e shtuar në ekzekutivin aktual, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në politikën ndërkombëtare.

“PDK-ja bën mirë të hyjë në qeveri, jo për t’ia bërë numrat, por PDK-ja si parti e tretë dhe me ekspertizë të madhe në çështjen e ekonomisë mund ta pasurojë qeverisjen si në formën ekonomike ashtu edhe në politikën ndërkombëtare, për arsye se PDK-ja ka kuadro që kanë pasur raporte të mira me ndërkombëtarët. Andaj, unë e ftoj edhe LDK-në, ku kam qenë edhe pjesë e saj me të cilët edhe kam punuar, me Hotin dhe me të tjerët ministra, duhet konsideruar se PDK-ja është pasurim i qeverisjes së mirë”, thotë Kelmendi.