Kërkesa e parë e Agim Bahtirit ndaj Kryeministrit Kurti

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri ka kërkuar sot nga Kryeministri Kurti një fond për të ndërtuar shtëpitë e shqiprarëve në Mitrovicë të Veriut, dhe në këtë mënyrë ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Sot, në Mitrovicë është përkujtuar tmerri i netëve 2,3 dhe 4 shkurti i vitit 2000 ku grupe të armatosura serbe kishin vrarë 10 shqiptarë, plagosur 25, ndërsa dëbuar me dhunë nga pronat e tyre rreth 12 mijë shqiptarë të tjerë.

Agim Bahtiri, u shpreh i bindur se shqiptarët do të kthehen në atë pjesë të qytetit në numër më të madh se sa kanë qenë më herët.

Ai ka kërkuar nga kryeministri i sapoemëruar që të ndajë një fond të veçantë për ndërtimin e shtëpive në veri.

“Unë e di se tani jemi në normalizim të gjendjes dhe shqiptarët do të kthehen në pjesën e veriut në numër më shumë se sa kanë qenë. Kam para jush këtu një kërkesë të veçantë për kryeministrin që të ndajë një fond për ndërtimin e shtëpive në pjesën veriore dhe të kthehen shqiptarët ku kanë jetuar me shekuj. Ky është plotësimi i dëshirave të atyre që kanë vdekur”, theksoi Bahtiri./gazetametro.net