Kërkesë publike Ministres së Arsimit znj. Nagavci!

Nga: Burim Gjaka

E nderuar znj.Arbërie Nagavci, Ministre e MASH-it!

Në cilësinë e Drejtorit të një Shkolle Publike, Fillore dhe të Mesme të Ulët po ju drejtohem me këtë kërkesë publike duke ju kërkuar trajtim më dinjitoz për Drejtorët e Shkollave të Republikës së Kosovës!

Të gjithë Drejtorët e Shkollave dhe jo vetëm, kemi pritur shumë nga Ju zonja Ministre, ngase kemi konsideruar se Ju vini nga sfera e arsimit dhe i kuptoni më mirë se kushdo tjetër hallet e puntorëve të arsimit, me thekes të veçant të Drejtorëve të Shkollave, mirëpo deri më tani nuk kemi vërejtur ndonjë sinjal pozitiv në këtë drejtim, të paktën në vitin e parë të mandatit.

Duke mos dashur të ju paragjykojmë për të ardhëmen, po ju përkujtojmë se në shumicën e shkollave të vendit, sidomos të zonave jo urbane sot kemi Drejtorë të cilët të gjitha punët në shkolla i kryejnë vet, pa u ndihmuar nga askush. Ata kryejnë menaxhimin, administratën, monitorimin, mentorimin, vlerësimin, financat, nganjëherë edhe prokurimin, madje në shkollat me numër të vogël të nxënësve, kryejnë edhe punët e kordinatorit të cilësisë. Përveq kësaj nga Drejtorët e Shkollave kërkohet monitorimi dhe mentorimi i mësimdhënësve, porse nuk u ofrohet mundësia të trajnohen ( ngriten profesionalisht) pêr këtë qështje.

Drejtorëve nuk u ofrohet mundësia as të ndjekin trajnimet për kornizën kurrikulare dhe kurikulat lëndore, ndërsa puna kryesore e tyre në përditshmëri është monitorimi i zbatimit të saj. Prandaj këtu Ju duheni ta përdorni “dorën tuaj” dhe ta ndryshoni gjendjen.

E nderuar Ministre!
Kohëve të fundit është duke u punuar në hartimin e projektligjit për paga dhe derisa të gjitha institucionet i mbronë dukush neve si Drejtorë askush. Nga informatat që kemi ne ky draftligj ka 20 koeficienete dhe vlera e koeficientit sillet përafërsisht 120€, ndërsa koeficienti i Drejtorëve të Shkollave Fillore dhe të Mesme të Ulët është 5.1.

Duke analizuar koeficientët në tërsi, ky pozicion për ne konsiderojmë se është tepër nënqmues dhe përulës pasi që nuk mund të mendohet që tër ajo punë që u cek më lartë të llogaritet me këtë koeficient. Dallimi ynë me koeficientët e mësimdhënësve në shkollën e mesme të lartë është vetëm 0.2 ose 24€ dhe ne konsiderojmë se kjo nuk është në rregull. Për ne koeficienti për të gjithë mësimdhënësit është tepër i ulët dhe nuk duhet të pranohet, mirëpo meqënse për ta kujdeset SBASHK-u, ne po e ngrisim zërin për vete, pasi që konsiderojmë se kemi mbetur sikur ” jetimë”. Pastaj koeficienti i zjarrfiksëve është 5.2 që d.m.th për 0.1 më i madh se i Drejtorëve të Shkollave Fillore dhe të Mesme të Ulëta. Ne e vlerësojmë lartë punën e zjarrfiksëve dhe konsiderojmë se atyre duhet t’u paguhet mundi, madje duhet t’u paguhet edhe rrezikshmëria me një shumë vlerësuese, porse mendojmë që koeficienti i Drejtorëve të Shkollave duhet të jetë patjetër më i lartë sesa i zjarrfiksëve.

Në asnjë institucion tjetër përveq shkollave dallimi në koeficient mes drejtuesit dhe punëtorit nuk është aq i ngushtë. Nuk mund dhe nuk duhet të jetë dallimi mes Drejtorit dhe mësimdhënësit në koeficient aq i ngushtë pra vetëm 0.5.

Që të mos keqkuptohemi ne nuk jemi kundër asnjë koeficienti të kategorive të ndryshme pêrveq atyre të sferës politike të cilêt mendojmë se janë të mbivlerësuar, madje për mësimdhënësit ne konsiderojmë se asnjë koeficient nën 6 nuk duhet të vihet në konsideratë.

Prandaj po kërkojmë nga Ju Ministre e nderuar, që të përdorni autoritetin tuaj që në këtë ligj pozicioni i Drejtorëve të Shkollave të trajtohet më me dinjitet, poashtu edhe i mësimdhënësve dhe stafit teknik të shkollave të cilët kanë mbetur pas dore. Ndryshe ne do të organizohemi dhe do t’i mbrojmë të drejtat tona duke krijuar “Shoqatën e Drejtorëve” dhe përmes peticioneve, protestave të ndryshme e deri te bashkëngjitja në greva bashkë me të tjerat, që të vlerësohet puna jonë.

Ju zonja Ministre para se ta mbroni Qeverinë dhe vendimet politike, shpeshë të paarsyeshme, obligoheni të na mbroni ne sepse Ju dhe gjithë të tjerët mburreni me punën tonë të cilën përveq fjalimeve pomoze gjatë fushatave zgjedhore nuk e vlerësoni asnjëherë!