Këshilli i Prindërve kundër idesë që prindërit të organizojnë mësim, paralajmëron masa nëse nuk përfundon greva

Këshilli i Prindërve të Prishtinës të shtunën ka deklaruar se nuk e përkrahin idenë që prindërit të organizojnë procesin mësimor, pasi mësimdhënësit janë në grevë.

Përmes një komunikate për media, Këshilli ka bërë thirrje që mësimi të fillojë, e nëse nuk ndodh një gjë e tillë atëherë kanë paralajmëruar se pakënaqësitë do t’i shprehin në forma të tjera.

Këto qëndrime Këshilli i ka bërë të ditura për publik, pas një mbledhje që ka mbajtur sot lidhur me gjendjen e krijuar për shkak të grevës.

“Nga diskutimi i zhvilluar sot në mbledhje, u nxorën këtë konkluzione: Këshilli i prindërve të komunës së Prishtinës, si organ i pavarur, është thellësisht i shqetësuar për mos fillimin e procesit mësimor, dhe konsideron se çdo orë mësimore e humbur është e pazëvendësueshme dhe shkakton dëme të pariparueshëm për nxënësit”.

“Informojmë të gjithë akterët e përfshirë , se nëse procesi mësimor nuk do të fillojë së shpejti, këshilli i prindërve të Komunës së Prishtinës do të shpreh pakënaqësitë e tij në forma të tjera, në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësit që i takojnë. Fëmijët – Drita e syve tanë! Mësuesi/ja – Prindi i dytë për fëmijë!”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ende nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje lidhur me kërkesat e kësaj të fundit që t’u ndahen nga 100 euro të gjithë punëtorëve të arsimit deri në miratimin e Projektligjit për Paga.