Këta janë dy zyrtarët amerikanë që fliten si emisarë në dialogun Kosovë-Serbi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të kthehen me kapacitet të plotë në dialogun Kosovë-Serbi, përmes një emisari të posaçëm, që do të angazhohet në bisedime.

Sipas raportimit të medias serbe, Novosti, dy kandidatë janë parë deri më tani për si të duhurit për këtë post.

I pari që është përmendur si emër i mundshëm është Matthew Palmer, i cili tashmë është angazhuar në rajon si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit si dhe Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Tjetra është Molly Montgomery, e cila përgjatë kohës së fundit është emëruar si Zëvendës Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë.

Matthew Palmer ndryshe merret me Ballkanin prej 25 vitesh, derisa atij iu dha edhe detyra si i dërguar special për rajonin gjatë administrimit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton lajmi.net.

Palmer njihet si bashkëpunëtorë i afërt i emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Të dy janë takuar gjatë javës së kaluar në Bruksel, pas të cilit takim Palmer theksoi se qëllimi i të gjitha administratave amerikane është të përfundojë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje për njohje reciproke.

Palmer iu referua Lajçak-ut si mik, ndërsa që të dy pritet që të takohen gjatë ditës së nesërme në Kosovë.

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi nga Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak arrin sot në Kosovë ku do të zhvillojë disa takime radhazi me përfaqësuesit shtetëror ndërsa nesër pritet që të vijë edhe përfaqësuesi amerikan, Matthew Palmer.

Që të dy pritet që nesër të zhvillojnë një takim, ku padyshim temë kyçe do të jetë çështja e dialogut.

Nga ana tjetër, emërimi i Molly Montgomery, e cila më parë ishte e angazhuar në departamentin e konsulencës Madeleine Albright, në një pozicion në Departamentin e Shtetit, hedh dritë të re mbi politikën e administratës së presidentit Joe Biden ndaj Kosovës.

Ndryshe rifillimi i dialogut është paraparë të ndodhë gjatë javës së dytë të qershorit, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar të deklarohet se dialogu nuk është në top-tri prioritetet shtetërore të tij.

Pavarësisht kësaj, Kurti udhëtoi dy herë radhazi drejt Brukselit ndërsa pritet që në javën e dytë të qershorit të udhëtojë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti para pak ditësh ka zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e opozitës, ku temë kryesore e diskutimit ishte pikërisht dialogu.