Klinaku: Formimi i gjykatës që ndjek krimet serbe të luftës po bëhet lojë politike

Sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku në emisionin IMAZH të RTK-së, lidhur me propozimin për themelim të një gjykate që ndjek krimet e luftës të kryera nga Serbia në Kosovë, thotë se fillimisht duhet pasur parasysh rrethanat politike edhe rreth formimit të gjykatave, siç ishte rasti i themelimit të gjykatës speciale me seli në Hagë.

Edhe rastin e kësaj gjykate që po propozohet nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Klinaku e sheh si vendim apo çështje politike, dhe nuk beson se Kosova mund të formoj tribunal për krimet e luftës për Serbi, por duhet që nëpërmes mekanizmave ndërkombëtar ta bëjë këtë. E quaj lojë politike, për shkak të boshllëkut që ekziston në bisedimet Kosovë-Serbi, me bisedimet e vjetra e që unë i quaj të dështuara, e që pretendohet të bëhen bisedime  të reja. Pra, gjykatën politikisht e quaj të pamundur, por edhe për shkak të infrastrukturës ligjore.

Ndërsa, se a ka nevojë Kosova për një tribunal për krime lufte, Klinaku deklaroi se natyrisht që na duhet një i tillë, sepse Serbia ka kryer shumë krime dhe ato gjithsesi që duhet të gjykohen, por mendon se për këtë jemi vonuar, e sidomos jemi vonë pas themelimit të gjykatës speciale në Hagë.