Kolegji AAB do të vazhdojë të përkrahë dhe mbështesë OVL të UÇK-së dhe familjarët e tyre

Me qëllim të nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim në mes të Kolegjit AAB dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rektori Bujar Demjaha, priti sot në takim kryetarin e OVL të UÇK-së, z. Hysni Gucati dhe përfaqësuesit zyrtarë të kësaj organizate.

Marrëveshja ngërthen ofrimin e mbështetjes, angazhimit, ndihmës dhe përkrahjes në çështje si: trajnimet, konferencat, seminaret, etj., me mbështetjen e personelit të profesionalizuar të AAB-së për OVL UÇK, por edhe ofrimin e infrastrukturës së Kolegjit AAB për organizimin e aktiviteteve të ndryshme të OVL UÇK-së.

Kolegji AAB që nga fillimet e tij ka ofruar mbështetje për të gjitha familjarët e kategorive të dala nga lufta, e në veçanti për veteranët e UÇK-së, ndërsa në shenjë falënderimi OVL e UÇK-së, i ndau mirënjohje Kolegjit AAB.

Këto lehtësime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen ndërsa një gjë e tillë është paraparë edhe në marrëveshjen e nënshkruar sot, thuhet në njoftimin e Kolegjit AAB./Fokusi.info/