Komuna e Prishtinës ndan 50 mijë euro për Shqipërinë

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal pas tërmetit në Shqipëri, ka deklaruar se dje ishte ditë tragjike për të gjithë shqiptarët. Me këtë rast janë ndarë 50 mijë euro për Shqipërinë.

Prej dje kemi vazhduar kontaktet në Shqipëri me Erion Veliajn nëse ka nevojë për ndihmë. Ndihmat qe po mblidhen është gati e pamundshme të koordinohen. Mësohet se sot mbi 400 qytetarë të Shqipërisë kanë arritur në qytete të ndryshme. Erion Veliaj do të na njoftojë për çdo gjë që kanë nevojë. Do të ndajmë 50 mijë euro, është shumë e mjaftueshme qe si kryeqytet të tregojmë solidaritet”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se sot do të shkojnë 15 inxhinierë të statikës për vlerësimin e objekteve në Durrës.

Do të dërgojmë çdo kapacitet që kemi mundësi, ekspertë apo inxhinierë”, u shpreh Ahmeti.

Me këtë rast Kryesuesi i Kuvendit, z. Agim Kuleta është shprehur:

Në rrethana normale, secili e ka luksin e zgjedhjes se si do të sillet në rrethana të caktuara. Në momente tragjike, çfarë janë këto të cilat jemi duke i përjetuar, zgjedhja është një, për të gjithë: të mobilizohemi për ta tejkaluar këtë tragjedi me sa më pak dëme dhe me sa më me lehtësi. Në këtë frymë, përveç masave të ndërmarra nga Komuna e Prishtinës, Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur para pak çastesh, vendosi t’i ndajë 50.000 euro si ndihmë për familjet e prekura nga tërmeti i rëndë që goditi dje një pjesë të kombit tonë.

Me këtë rast, në emër të të gjithë anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, u shpreh ngushëllime të gjitha familjeve të viktimave dhe gjithë popullit shqiptar!

#JemiBashke