Konjufca i tha “bravo” për letrën e Mogherinit, Mustafa: Në politikë s’është lehtë të thuhet e vërteta

Ish-kryeministri Isa Mustafa ia ka “dhënë” dorën kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili e ka pranuar rëndësinë e letrës së Federica Mogherini për Asociacionit.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se është shumë e rëndësishme që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufa, e ka kuptuar rëndësinë e letrës së Frederica Mogherinit, e cila flet për natyrën e kompetence të Asociacionit.

“Letra është shumë e rëndësishme, sepse përmban zotimin e BE-së për natyrën e Asociacionit. Aq e rëndësishme është edhe pika 2 e Dokumentit 2015, e cila parasheh rolin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për të siguruar që Statuti dhe çdo ndryshim i mëvonshëm i tij duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën. Është me rëndësi që disa prej tyre e kanë kuptuar. Sidomos z. Konjufca. Në politikë nuk është lehtë të thuhet dhe të pranohet e vërteta. Sepse, njerëzit parapëlqejnë më shumë gënjeshtrat dhe mashtrimin, jetojnë me premtimet dhe jo me realitetin.”,ka thënë ai.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që disa zyrtarë të VV-së tashmë e kanë kuptuar vlerën e kësaj letre dhe rolin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese në procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Mustafa ka vlerësuar se në politikë nuk është e lehtë të pranohet e vërteta.

Sipas tij, në politikë njerëzit parapëlqejnë më shumë gënjeshtrat dhe mashtrimin.

Mustafa ka treguar se të gjithë zyrtarët e VV-së, përfshirë kryeministrin Kurti, kanë qenë në dijeni për ekzistimin e letrës së ish-shefes së diplomacisë evropiane.

Ish-kryeministri ka thënë se VV-së dhe Kurtit në atë kohë nuk iu ka interesuar përmbajtja e letrës.

Sipas tij, ata këmbëngulnin vetëm në sloganin “Zajednica nuk kalon”, duke ofenduar dhe kërcënuar.