Kosovari i arrestuar në Serbi, familjar i kryetarit Ramosaj

Kosovari që sot është arrestuar nga policia serbe po del të jetë familjar i kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Abaz Beqiraj nga fshati Baballoq i Deçanit, i cili u arrestua sot nga autoritetet serbe në kufirin Hungari-Serbi, është familjar i kryetarit të kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Kështu bëri të ditur vetë Ramosaj, në një bisedë për lajmi.net, teksa tha se familjarët e Beqirajt kanë kontaktuar me autoritetet atje dhe janë njoftuar se i njëjti ka mbetur i bllokuar në kufi deri nesër, kur do të paraqitet para gjyqtarit.

Ramosaj po ashtu bëri të ditur se Beqiraj është arrestuar teksa po kthehej nga Gjermania, nën pretekstin se kishte një gjobë të papaguar.

Por, sipas Ramosajt, kjo nuk është e vërtetë, pasi për Beqirajn kjo ishte hera e parë që kishte udhëtuar për në Gjermani.

“Është ndaluar nga autoritetet serbe rreth orës 11:00 në kufirin Hungari-Serbi. Ka qenë duke u kthyer nga Gjermania, ku kishte shkuar me vizë turistike për t’i takuar familjarët e tij. Arrestimi i tij është bërë nën pretekstin se e ka një gjobë të papaguar, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë pasi Abazi nuk ka udhëtuar për në Gjermani më parë, pra kjo është hera e parë”, deklaroi Ramosaj.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke thënë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka vendosur kontaktin me autoritetet atje.