Të sëmurë rëndë, presin me orë të tëra në oborrin e QS-së për një nënshkrim nga Ministria e Shëndetësisë

Disa qytetarë me sëmundje të rënda që po trajtohen në vendet e rajonit, po hasin në telashe pas kthimit në Kosovë. Përderisa qytetarët po ankohen se pacientë në gjendje të rëndë po detyrohen të presin disa orë, në Ministrinë e shëndetësisë thonë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që vjen prej jashtë dhe që ka dëshmi mjekësore se i duhet një tretman specifik mjekësor, atij ekipi mjekësor në kufi ia bënë kontrollin dhe i rekomandon MSH-se që të njëjtin për shkak të nevojave specifike, të mos e karantinojë, por ta dërgoj në spital ose vetizolim shtëpiak nëse ka arsye të tjera.

Një burim i Ekonomia Online, ka treguar për disa raste të rënda të cilët janë detyruar të presin me orë të tëra në gjendje të rëndë shëndetësore, në oborrin e Qendrës së Studentëve për ta marrë vendimin.

Ky burim ka thënë se një grua nga Prizreni, e cila është trajtuar në Shkup dhe ishte për kimioterapi nuk i është dhënë vendimi për lirim për orë të tëra dhe ajo është detyruar të presë në një ulëse në oborrin e QS-së.

“Një grua nga Ferizaj, pardje ka ardhur në ora 12:15 në Qendrën e Studentëve dhe vendimi nuk ju ka nënshkruar nga ministri Vitia deri 18:50”, ka thënë ky burim.

“Njëjtë edhe para nja 10 ditëve, një vajze 7 vjeçare me leukemi. Ne na njoftuan se është rrugës duke ardh nje 7 vjeçare me anën e vet, veç vine e marrin vendimin dhe lirohen , pra nuk futen ne karantine sepse është me leukemi, dhe ka prit në kerr në të ftohtë 5 ore për një nënshkrim te ministrit. Po atë dite nje plak nga rrethi i Prizrenit, ka ardhur nga Serbia ku ish operu prej kancerit dhe ka prit mbi 6 ore për vendim, njeri i sëmure me kancer, i operuar”.

Faik Hoti, drejtor i Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë ka thënë se kjo ministri e bën gati vendimin pasi të sigurojë dokumentacionin për të, ta verifikoje vërtetësinë e dokumentacionit dhe të aranzhojë përcjelljen e tij në shtëpi apo spital, sipas nevojës, duke u siguruar për të njëjtin që të mos jetë bartës eventual i infeksionit

“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që vjen prej jashtë dhe që ka dëshmi mjekësore se i duhet një tretman specifik mjekësor, atij ekipi mjekësor në kufi ia bënë kontrollin dhe i rekomandon MSH-së që të njëjtin për shkak të nevojave specifike, të mos e karantinojë, por ta dërgoj në spital (nëse duhet tretman spitalor) ose vetizolim shtëpiak nëse ka arsye të tjera. I njëjti sillet te QS tek Karantina, por nuk futet dhe pret aty derisa t’i behet vendimi nga Ministria. MSh e bënë vendimin pasi të sigurojë dokumentacionin për të, ta verifikoje vërtetësinë e dokumentacionit dhe të aranzhojë përcjelljen e tij në shtëpi apo spital, sipas nevojës, duke u siguruar për të njëjtin që të mos jetë bartës eventual i infeksionit”, ka thënë Hoti