KQZ demanton VV’në: I refuzuam 1212 fletëvotime nga Diaspora, jo 1700

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procedimin konform vendimit të kësaj gjykate, kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi për Periskopin.

Ai tha se meqenëse bëhet fjalë për fletëvotime nga jashtë vendit, kemi filluar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. Procesi i vlerësimit është i domosdoshëm pasi vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të vërtetojmë nëse pakoja me fletëvotim është dërguar nga personi i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit.

Elezi tregoj se në këtë proces arrihet të kuptohet nëse brenda një dërgese ka më shumë se një pako me fletëvotime.

“Pra, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212.”, tha Elezi.

Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje është ankuar se Sekretariati i KQZ’së nuk po e zbaton të plotë vendimin e Supremes, meqenëse sipas tyre krye shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, nuk është duke lejuar që të trajtohen të gjitha plikot me fletëvotime të ardhura nga diaspora.

Siç potencon komunikata e tyre nga gjithë votat e ardhura me vonesë nga diaspora rreth 1700 kanë mbetur jashtë procesit të numërimit.

Elezi po ashtu ka treguar se pse u refuzuan rreth 1 mijë e 212 vota të diasporës.

Ai ka sqaruar se arsyet e refuzimit të tyre kategorizohen në 5 grupe si në vijim:

535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës;

115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjisturar si votues jashtë Kosovës;

128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar;

159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë dhe

275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar.

Pra, vetëm zarfet e supozuara me fletëvotime do të numërohen këtu në QNR, e që janë gjithsejt 4 mijë e 670.