Krasniqi – Kurtit: Tejkalo inatet personale dhe bashkëpuno me ndërkombëtarët për lirimin e policëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në lidhje me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe në territorin e Kosovës, i ka thirrje Qeverisë të luajë një rol më të përgjegjshëm dhe të bëjë përpjekje të mëdha për të siguruar kthimin e tyre në shtëpi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e informacionit në lidhje me gjendjen shëndetësore dhe trajtimin e tyre nga autoritetet serbe.

“Derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër, Kryeministri dhe Qeveria po na mbajnë në errësirë në lidhje me situatën e tyre”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka theksuar se ende nuk është bërë asnjë vizitë tek policët e kidnapuar.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti të tejkalojë “inatet e tij personale” dhe të intensifikojë bashkëpunimin dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar lirimin e policëve të kidnapuar.

“Kërkoj nga Qeveria që të luaj një rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës. Mbi të gjitha, kërkoj nga Kryeministri që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtarë – si mënyra e më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre”, ka shkruar ai.