Kurti kërkon falje që e ngatërroi Besarta Jasharin

Kryeministri Albin Kurti ka nisur sot fjalën e tij në Akademinë përkujtimore për nder të Epopesë së UÇK-së me një kërkimfalje, për një gabim të bërë dje në Kuvend.

Kurti gjatë fjalimit të djeshëm të mbajtur në Kuvend e kishte ngatërruar Besarta Jasharin, për të cilën kishte thënë se është e bija e kryekomandantit Adem Jashari.

“Fillimisht më lejoni t’ju kërkoj falje që në tekstin e fjalimit të djeshëm më është përvjedhur një gabim, dhe, kam thënë që, Besarta është vajza e Kryekomandantit Adem Jashari, në vend se të them e Hamëz Jasharit, ka thënë Kurti.

Ai më tej ka treguar se pse e ka bërë këtë gabim.

“Mirëpo shtrohet pyetja pse nuk e vërejta këtë gabim, teksa e lexoja tekstin. Ka mundësi që kjo është për shkak se shpeshherë më ngjan që të gjithë ne që jemi gjallë, jemi fëmijë të Kryekomandantit Adem Jashari”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se Kurti në fjalimin e tij është dëgjuar duke thënë se Besarta Jashari, e mbijetuara e vetme e sulmit ndaj familjes Jashari, është e bija e komandantit legjendar Adem Jashari.

“E vetmja e mbijetuar e familjes Jashari nga kjo masakër, që ka arritur të tregojë ngjarjen si e ka parë me sytë e saj – është vajza e kryekomandant Adem Jasharit – Besarta. Besarta ka kaluar tërë natën dhe ditën e vetme, me familjen e vdekur rreth saj, derisa predhat serbe binin një nga një, duke u përplasur në atë që kishte mbetur nga shtëpia e saj”, kishte thënë Kurti.