Kurti: Në Kosovë ka miell së paku për 3 muaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka vend për panik, dhe se ka rezerva të mjaftueshme të miellit e grurit.

Kurti ka thënë se dikush po tenton që të përfitojë nga kriza, por të njëjtit do të ndiqen nga shteti.

“Ka rezerva dhe nuk ka vend për panik. I ftoj qytetarët e Kosovës që të ndjehen të sigurt, si është edhe situata në vend. Sot i takova shoqatën e mullisëve, të cilët më siguruan që në Kosovë edhe për 2 muaj ka grurë që nuk është bluar ende. Dhe ka miell së paku për 3 muaj. I lus qytetarët që miellin ta çojnë në furrë sepse nuk ka vend për panik. Do të vizitoj nesër një kompani të vajit ushqimor të cilët prodhojnë 100 mijë litra në muaj dhe do diskutoj se cila është çështja aktuale e vajit në vend. Ka elemente që na bëjnë të dyshojnë se dikush po përfiton nga kriza botërore. Nuk e di se çfarë do ndodhë pas disa muajve, por ne do e bëjmë më të mirë pas secilës sfidë që do ndodhemi. Ne do kemi mbikëqyrje nga keqpërdoruesit e manipuluesit që po tentojnë të përfitojnë nga situata. Panik e ngjashme ishte krijuar edhe në kohën e pandemisë”, ka thënë Kurti.