Kurti tregon pse nuk shkon te varri i Ibrahim Rugovës

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke folur për raportet me LDK-në, në emisionin Pressing, ka treguar për marrëdhëniet dhe për qëndrimin e tij për Presidentin Ibrahim Rugova.

Kurti thotë se është takuar dy herë para luftës me Rugovën dhe se me të janë pajtuar për çështjen e çlirimit nga Serbia. Por, ai tregon se ka dalluar vetëm për mjetet që duhej të përdoreshin. Kurti kujton se atëherë ishte student.

“Jam takuar dy herë me Ibrahim Rugovën. Jemi pajtuar por nuk kemi pasur qëndrime të njëjta për mënyrën se si do të kundërshtonim. Atëherë isha student”, ka thënë Kurti.

Lideri i VV-së, i pyetur pse nuk shkon te varri i Rugovës, thotë se kjo kërkesë për të është nga ata që dëshirojnë ta largojnë partinë e tij prej LDK-së.

“Nuk e mohoj kontributin e Rugovës. Kjo është një lloj trysnie që vjen për ta ndarë VV-në me LDK-në. Mosshkuarjen te varri po përdoret për të na përçarë ne. Një kërkesë e tillë nuk është e sinqertë”, është shprehur Kurti në Pressing. /Fokusi.info/