Latifi-Volkan: Orari dhe çdo gjë tjetër që duhet të dini rreth duelit

Të shtunën me 1 qershor, Ilir Latifi i kthehet oktagonit në kuadër të evenimentit ‘UFC Fight Night Stockholm’.

Pas humbjes befasuese ndaj Corey Anderson pesë muaj më parë, këtë herë të gjithë presin fitoren e shqiptarit ndaj Volkan Oezdemir.

Dueli i Ilirit ndaj Oezdemir është i dyti për nga rëndësia në natën e UFC-së që do të mbahet në kryeqytetin e Suedisë, vend me të cilin prezantohet edhe 35-vjeçari nga Vushtrria. Pasi interesimi për duelet e Ilirit është gjithmonë i madh, më poshtë keni të gjitha detajet rreth këtij takimi:

Fillimi i duelit:

Në UFC është e vështirë të jepet koha e saktë e fillimit të një dueli, pasi ajo varet edhe nga duelet tjera paraprake. Në “UFC Fight Night Stockholm’ janë gjashtë ndeshje të rëndësisë më të madhe, e para fillon në ora 19:00, kurse ajo e Latifit e pesta. Duke ditur se përveç duelit Alexander Gustafsson-Anthony Smith që ka pesë raunde nga pesë minuta, të tjerët janë tre raunde nga pesë minuta, pra në rast se jeni të interesuar të shikoni drejtpërdrejt Ilirin, atëherë preferohet të jeni para ekranit rreth orës 21:30, transmeton Telegrafi.

Pasi të mbarojë dueli me Jimi Manuwa dhe Aleksandar Rakic, atëherë fillon ai mes Ilir Latifit dhe zvicranit Volkan Oezdemir. Gjithsesi Telegrafi do t’ju mbajë të informuar në kohë reale, që nga momenti kur Iliri dhe kundërshtari i tij do të futen në Stockholm Globe Arena, ecja drejt okgtagonit, raporti i duelit dhe deklaratat pas saj.

Statistika:

Volkan ka fituar 15 duele në UFC dhe ka humbur vetëm katër, 73 për qind të dueleve i ka përfunduar me nokaut. 29-vjeçari në kategorinë e lehtë të peshave të rënda renditet i shtati.

Në anën tjetër Latifi ka 15 fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa renditet i nënti.

Takimi i parë përballë njëri-tjetrit:

Latifi njihet si një person i qetë, i cili nuk preferon të bëjë skena para mediave. Kështu ndodhi edhe me Volkan, me të cilin njihen edhe nga e kaluara pasi kanë stërvitur bashkë.