LDK është duke u përballur më tepër me diktatin e Albin Kurtit se sa me partneritetin e tij

Videomesazhi i sotëm i Kurtit, ku prezanton edhe ministrat e partisë së tij, dëshmon se Kurti e ka ndarë mendjen për ta marrë mandatin, ku nëse nuk arrin marrëveshje me LDK-në, zgjedhjet e reja do të provokoheshin seriozisht nga ana e tij.

Rruga e parë është pranimi i dekretit si mandatar për formimin e Qeverisë së re, si mundësi e vetme për të ardhur te zgjidhja e ngërçit politik.

Me nisjen e rrjedhjes së afatit 15 ditor nga ana e Kurtit, do ishte kohë e mjaftueshme kjo për marrjen e vendimit nga LDK-ja, e cila si duket nuk është e interesuar fare të bashkëqeverisë me Vetëvendosjen, sidomos pas qasjes goxha diktuese të saj, si me zgjedhjen e njëanshme të kryeparlamentarit, ashtu edhe me propozimin e njëanshëm të emrave për ministra dhe ministri, pa marrëveshje me LDK-në.

Kjo dëshmon se Kurti është shumë i interesuar të provokojë zgjedhje të reja, pasi që po e sheh tashti veten në pikun e tij politik, duke u munduar që tërësisht t’ia lërë fajin LDK-së.

Por, krejt ajo që po dëshmohet është se Kurti po qëndron shumë hapa para LDK-së, duke e vendosur këtë subjekt politik tërësisht në rol dytësor, që më shumë po ballafaqohet me diktatin e Kurtit dhe jo me partneritetin e tij.