Lëvizja Vetëvendosje mbyll fushatën në Prishtinë

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës të kësaj fushate elektroale në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në tubim u panë shumë flamuj kombëtarë dhe i gjithë tubimi filloi me intonimin e himnit. Nuk munguan as flamujt shtetërorë dhe simbolet që i kishin sjell qytetarët. Po ashtu, u panë edhe flamuj të shteteve si ato të SHBA’së e Gjermanisë.

Vend i veçantë afër skenës ishte i rezervuar për Avni Deharin, babain e aktivistit Astrit Dehari që vdiq në burg në fund të 2016’ës.

Tubimin e filloi kryetari i degës së VV’së në Prishtinë, Arben Vitia. Ai i falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i përgëzoi për guximin e tyre që të qëndrojnë në vend përkundër problemeve të shumta socioekonomike. Pas tij mori fjalën kandidatja për deputete, Albulena Haxhiu.

U dëgjuan britmat “Hajnat në burg”. E Glauk Konjufca u tha ‘se shumë mirë po e dini ku e kanë vendin hajnat’.

“Kriminelët janë sëmundja e këtij vendi. E Vetëvendosja është ilaqi”, tha Konjufca.

Ovacionet më të mëdha ishin të rezervuara për liderin. Albin Kurti sapo u fut në skenë u përcoll me brohorima të mëdha.

“Teksa presim me padurim ditën e zgjedhjeve unë dëshiroj që të u kushtoj një falënderim aktivistëve të Lëvizjes. Qindra qytetarë dhe aktivistë edhe nëpër shtetet perëndimore janë gurët dhe shtyllat e Lëvizjes. Ata duan ta shohin Kosovën të zhvilluar dhe të bukur”, ka thënë Kurti.

“Nuk jemi vetë sepse jemi bashkë, dhe nuk jemi për vete sepse jemi për juve. Për të gjithë të gjitha, për të ne asgjë. Për fitoren tonë ne nuk do t’i kemi borxh asnjë tajkuni e ambasade. Do t’ju kemi borxh vetëm juve, e do t’ju shërbim pa pushim. Nuk jemi mbledhur këtu as për t’ju premtuar as për t’ju gënjyer”, ka thënë Kurti.