Lëvizja Vetëvendosje pa qëndrim për postin e kryetarit të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka vendosur nëse do t’i kërkojë dorëheqjen nga posti i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit. Përkundër që shprehën fjalë të mira për punën e kryeparlamentares, në partinë e Albin Kurtit thonë se për këtë post do të diskutohet në kryesi dhe pastaj të veprohet tutje.

Derisa nga shoqëria civile pohojnë se posti i kryetarit të Kuvendit mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk dihet a i takon automatikisht grupit më të madh parlamentar pas konstituimit të Kuvendit.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci thotë për KosovaPress se kreu i legjislativit nuk mund të kontestohet se i takon partisë së saj.

Nagavci: Në parti ende nuk kemi diskutuar për postin e kryeparlamentares

Video

“Në Lëvizje nuk e kemi diskutuar postin e kryeparlamentares. Ne ia vlen të përmendim që ka pasur një bashkëpunim shumë parimor. Një bashkëpunim që vërtet ka qenë i bazuar në parime dhe bindje tona që po punojmë në realizimin e synimit tonë… nëse ka një diskurs të tillë kjo tregon se në apetitet e tyre për të uzurpuar gjithçka kanë synim edhe në këtë drejtim. Është një çështje që nuk mund të kontestohet”, tha Nagavci.

Nga shoqëria Civile, Arbëresha Loxha thotë se posti i kryeparlamentares pas dorëheqjes ose shkarkimit të Vjosa Osmanit mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne mendojmë që është kontestuese se kujt i takon pozita e kryeparlamentarit. Nëse i takon partisë më të madhe, apo grupit më të madh parlamentar. Tashmë pasi Kuvendi është i konstituuar. Ne konsiderojmë që ky mund të jetë një rast i ri për Gjykatën Kushtetuese, i cili mund të dërgohet në Gjykatë meqenëse kemi të bëjmë me një rast të kontestuar, i cili pra nuk na është paraqitur në të kaluarën. Nuk ka të bëjë me zgjedhjen e kryeparlamentarit para krijimit të qeverisë dhe konstituimit të kuvendit pas zgjedhjeve, por e kemi atë pas konstituimit. Pra, nuk është rasti i njëjtë sikur në rastin e VLAN-it”, tha ajo.

Ndërsa, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, thotë për KosovaPress se edhe në rast të dorëheqjes së kryeparlamentares Vjosa Osmani nuk mund të zvarritet formimi i qeverisë së re, pasi Kuvendi udhëhiqet nga nënkryetarja e tij.

“Zonja Osmani si kryetare e Kuvendit ka për obligim që të mundësojë realizimin e seancës në të cilën do të bëhet zgjedhja e qeverisë. Për shkak se është detyrim i saj kushtetues…Nëse ajo do të zgjedhë të jep dorëheqje prej postit të kryetares së Kuvendit është çështje e saj. Pastaj i takon LVV-së që të propozojë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit. Mirëpo rregullorja e punës së Kuvendit parasheh se në rast të mungesës së kryetarit të Kuvendit, një prej nënkryetarëve do ta zëvendësojë deri në zgjedhje të kryetarit të ri”, tha Krasniqi.