Vala e Omicron duket më e butë, por shqetësimi mbetet

Studimet preliminare të publikuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut tregojnë se vala e Omicron duket të jetë më e butë.

Provat e hershme sugjerojnë se më pak njerëz kanë nevojë për trajtim spitalor sesa me variante të tjera – me vlerësime që variojnë nga një reduktim prej 30% në 70%. Por shqetësimi mbetet se edhe nëse Omicron është më i butë, numri i madh i rasteve mund t’i mbingarkojë spitalet.

Më shumë se 100 mijë raste janë raportuar në Mbretërinë e Bashkuar në një ditë të vetme për herë të parë. Një kuptim më i thellë i ashpërsisë së Omicron do t’i ndihmojë vendet të vendosin se si t’i përgjigjen virusit.

Studimi në Skoci ka gjurmuar koronavirusin dhe numrin e njerëzve që përfundojnë në spital prej tij. Është raportuar se nëse Omicron do të sillej njësoj si Delta, ata do të prisnin që rreth 47 persona të ishin pranuar tashmë në spital.Për momentin janë vetëm 15.

Studiuesit thanë se po shihnin një reduktim afërsisht me dy të tretat në numrin e të infektuarve që kishin nevojë për kujdes spitalor, por kishte shumë pak raste dhe pak të moshuar të rrezikuar në studim.

Profesori Cheryl Cohen nga Instituti Kombëtar për Sëmundjet Transmetuese në Afrikën e Jugut, tregoi se njerëzit kishin 70-80% më pak të ngjarë të kishin nevojë për trajtim spitalor, në varësi të faktit nëse Omicron krahasohet me valët e mëparshme ose variante të tjera që qarkullojnë aktualisht.

Megjithatë, ai sugjeroi se nuk kishte asnjë ndryshim në rezultate për ata pak pacientë që përfunduan në spital me Omicron.

“Të dhënat tona sugjerojnë vërtet një histori pozitive të një ashpërsie të reduktuar të Omicron në krahasim me variantet e tjera,” tha ai.