Limaj për Asociacionin: Serbia përfundimisht me bekimin e kësaj Qeverie po bëhet hisedare në shtetësinë e Kosovës

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka thënë se pika e shtatë e Marrëveshjes së Ohrit ku flitet për vetëmenaxhimin, nënkupton strukturën administrative të një krijese të tretë, që sipas Limajt ka elemente federale.

“Unë vazhdimisht në media e kam thënë pika shtatë, vetëmenaxhimi nënkupton struktura administrative e një krijese që po vjen. Marrëveshjen unë e shoh përtej 2013-2015, statuti derivat i një marrëveshje politike, prandaj bëhet luftë me sjell një marrëveshje të mirë politike, prandaj bëhen negociata për marrëveshje, nuk ka marrëveshje pa e pranuar statutin, ka për marrëveshjen, cila marrëveshje e mirë të siguron derivate të mira. Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohri, pika shtatë praktikisht ka qenë e vizatuar sikur kjo strukturë çfarë po vjen, këtu nëntë muaj është bërë debat çka është vetmenaxhimi, me qellim e ka disa që pa vetëdije donin që vetëmenaxhimin ta kamufllonin edhe të mos e thonin atë se çka në fakt thotë pika e shtatë. Pika e shtatë- vetëmenaxhimi, kanali i komunikimit të qeverisë siç thotë pika e shtatë të gjitha këto kanë paraparë këtë që po vjen, strukturën organizative të një krijese të tretë në ktë rast, me elemente federale”, ka thënë Limaj.

Tutje Limaj ka thënë se nëse ndodh kjo, atëherë po formohet një etnitet i tretë brenda Kosovës. Kreu i NISMA-s ka deklaruar se me bekimin e Qeverisë Kurti, Serbia po bëhet hisedare në shtetësinë e Kosovës.

“Serbia përfundimisht me bekimin e kësaj qeverie po bëhet hisedare në shtëtësinë e Kosovës. Marrëveshja politike është bërë Kosovë- Serbi, institucionet e Serbisë legalizohen përmes etnitetit të tretë, lejohet mundësia e drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen, funksionalitetin e këtij etniteti të tretë, financohen nga Serbia të ashtuquajturat institucionet serbe që janë në serbi legalizohen dhe pranohen si legale nga Kosova për të funksionuar arsimi, shëndetësia…”, ka thënë ai.

Limaj ka folur edhe për gjykatën e arbitrazhit, duke thënë se ajo i merr kompetencat e organeve shtetërore.

“Neve po na krijohet struktura organizative, një strukturë në detaje, presidenti, nënpresidenti, qeveria, ministritë apo drejtorit siç janë, dhe po na krijohet arbitrazhi. Arbitrazhi është me t’i marrë kompetencat nga organet qendrore, kur po flasim për kompetenca ekzekutive, do të thotë mos me i marrë kompetencat e organeve qendrore. Unë kështu e shoh, serbët nepër komuna i kanë kompetencat e tyre më shumë se komunat e tjera sipas ligjeve tona, çfarë po ndodh këtu, nuk po bëhen bisedimet për të drejtat e serbëve sepse ata veq i kanë, këtu po bëhet diçka tjetër, këtu po dojnë me i mbledh ato kompetenca që i kanë në nivele komunale me i mbledh në një vend, në një institucion, me i marrë disa shtesë dhe me e kriju këtë etnitetin për të cilin po flasim. Tani lufta është për autonomi territoriale të drejtat ekzistojnë por e dojnë edhe një territor ku kanë me u zbatu ato të drejta”, ka thënë Fatmir Limaj në Blic Interview.