Lushtaku: Funskionimi i institucioneve me ushtrues detyre, papërgjegjësi e Qeverisë

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka thënë për Front Online se funskionimi i shumë institucioneve me ushtrues detyre është një papërgjegjësi e Qeverisë.

“Kjo është një papërgjegjësi e madhe sepse këtu ka edhe shkelje sepse dihet fare mirë që ushtruesit e detyrës nuk kanë të drejtën e ushtrimit të gjatë të detyrës së tyre në funksionet e tyre, por kur kemi një Qeveri të papërgjegjshme e cila injoron edhe ligjet, shkel edhe Kushtetutën nuk është qudi që bëhet ky injorim”, është shprehur Lushtaku.

Madje, ai thotë se pikërisht për këtë Vetëvendosja e ka sjellë në Kuvend ligjin për zyrtarët publik.

“Ne e kemi parë cili ka qenë edhe qëllimi realisht i VV-së, në përgjithësi duke e sjellë në Kuvend të Kosovës ligjin për zyrtarët publik ku ka pas për qëllim largimin e drejtuesve të departamenteve dhe udhëheqësit e divizioneve dhe kështu duke i bërë ata të varur drejtpërdrejtë nga politika”, ka thënë ai për Front Online.

Sipas Lushtakut, edhe ushtruesit e detyrës po ndërrohen për shkak që nuk po i zbatojnë urdhërat polik që i ka Qeveria Kurti dhe Vetëvendosja në këtë drejtim.

Javën e kaluar deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka përmendur edhe disa institucione të tjera e që sipas saj janë më ushtrues detyre.

“Thesari i Shtetit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ASK, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Agjencia Shtetërore e Arkivave, Inspektorati Shëndetësor, Agjencia e Punësimit, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve, Agjencia për Investime, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, Sektori për çështje juridike administrative, Sektori për mbikëqyrje të naftës, Sektori i tregut, Agjencia Kosovare e Standardizimit, Agjencia e Meteorologjisë së Kosovës”, ka thënë ajo.

Gjatë pjesës së parë të mandatit, Qeveria Kurti është kritikuar edhe për mos emërim të sekretarëve të përhershme nëpër ministri dhe agjensione të pavarur.

Këto pozita të rëndësishme në administratën publike janë mbajtur me ushtrues detyre.