Man City dhe Liverpooli ndahen në paqe në derbin e javës në Ligën Premier

Manchester City dhe Liverpooli kanë barazuar me rezultat 1-1 në ndeshjen derbi të vlefshme për javën e 13-të në Ligën Premier.

Qytetarët dhe Reds kanë ndarë pikët në një ndeshje të fortë të zhvilluar në Etihad Stadium.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët krijuan shumë raste, por shënuan vetëm një herë.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 27-të me anë të Erling Haaland, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Nathan Ake.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e barabartë, me vendasit përsëri për një nuancë më të mirë, por mysafirët më konkret duke gjetur golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 80-të me anë të Trent Alexander-Arnold, i cili shënoi një gol të bukur nga distanca për barazimin 1-1.

Deri në fund, dy skuadrat tentuan ta gjejnë golin e fitores, por pa sukses dhe ndeshja në fund u mbyll me barazim.

Pas këtij barazimi, City e mban primatin në kampionat me 29 pikë, ndërsa Liverpooli zë pozitën e dytë me 28 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Qytetarët luajnë në shtëpi ndaj Tottenham Hotspur, ndërsa Reds e presin Fulhamin. /Telegrafi/