Masakra në Reznik më 6 prill 1999

Shkruan: Izet Miftari (Historian)

Në kuadër të 186 masakrave gjenocidale serbe në Kosovë gjatë luftës të 1998 – 1999, është edhe ajo e fshatit Reznik (Vushtrri) e cila nuk është edhe aq e sensibilizuar në opinion publik.

Për dallim nga masakrat tjera të komunës së Vushtrrisë apo edhe Kosovës në tërësi, Maskara e Reznikut dhe disa fshatrave përreth tij, mund të themi ka disa specifika, sepse shumicën e të ekzekutuarve shqiptarë, në fillim i kanë torturuar, i kanë plaçkitur, i kanë vrarë dhe në fund, i kanë djegur bashkë me shtëpitë e të vrarëve, me qëllim që të humbin gjurmët e krimit. Pra krimi ishte i përmasave tragjike.

Në këtë masakër janë vrarë 17 shqiptarë civil: 1. Fehmi Ujkani, 2. Sofie Ujkani, 3. Behxhet Ujkani, 4.Muhamet Ujkani, 5.Fatime Ujkani, 6.Imer Ujkani, 7.Faik Ujkani, 8.Tefik Ujkani, 9.Halide Ujkani, 10.Osman Mustafa, 11.Murat Mustafa, 12.Nexhmie Mustafa, 13.Fidaim Makiqi, 14.Bekim Makiqi, 15.Hysen Makiqi (i vrarë në Vërnicë), 16.Fetah Bunjaku, 17.Fatime Bunjaku.

Përjetuesit e masakrës në Reznik i deklaroj me emër e mbiemër të dyshuarit apo kriminelët e dyshuar serbë që morën pjesë në këtë krim gjenocidal. Masakra ndaj familjes Ujkani, Makiqi, Mustafa e Bunjaku u krye nga katër njësi paramilitare, të cilët e kishin kryer krimin në kohë të njëjtë, në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani, për të vazhduar me tutje në shtëpitë tjera dhe me të vrarit e tjerë.

Duhet thënë se në fshatin Reznik ishin strehuar numri më i madh i popullatës së shpërngulur nga fshatrat e Drenicës me rrethinë në vitin 1998-1999. Këtë e dëshmon edhe vizita në Reznik e Sadako Ogatës, ish komisionere e lartë për refugjatë në UNHCR.
Mirëpo, sikurse për shumicën absolute të masakrave të tjera, edhe për këtë masakër, nuk ka të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare e pas luftës në Kosovë, e cila kishte kompetencë ta bënte këtë gjë. Nga disa të dhëna që dëgjova në media, shqiptarët janë dënuar me rreth 190 vjet burg për “krime” lufte, derisa serbët janë dënuar me 26 vjet burg, derisa botërisht dihet se krimi e gjenocidi në Kosovës gjatë luftës tëë viteve 1998 – 1999, është shkaktuar nga regjimi fashist serb, i udhëhequr nga diktatori Sllobodan Millosheviq!! Diskrepanca e dënimeve është vërtetë diçka tepër interesante, e pakapshme për njerëzit normal. Këto gjëra e ngjarje paradoksale që kanë ndodhur në Kosovën e pas luftës, i mbeten historianëve të brezave të ardhshëm që t’i hulumtojnë dhe t’i analizojnë në mënyrë shkencore, pa anime dhe me gjakftohtësi, se si e pse ndodhi fenomeni, ndoshta paprecedent në histori, i dënimit të viktimës dhe amnistimit të shkaktuesit të gjenocidit!

Sqarim për foton: Varrezat e disa të masakruarëve në Reznik.