MASHT-i pezullon nga puna zyrtarin që denoncoi ministrin Bytyqi

Një ditë pasi e denoncoi ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi për kërcënim fizik, Ministria e Arsimit, përmes një vendimi e ka pezulluar nga puna Ferit Idrizin nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështjeve Ligjore.

Në vendimin që e posedon “Koha Ditore” thuhet se Idrizi pezullohet nga puna dhe detyra me pagesë për periudhën 3 muaj.

Idrizi, në një deklaratë për gazetën, ka thënë se kjo është një hakmarrje ndaj tij dhe se ai do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore.

“Unë, duke respektuar vendimin, do të ndjek edhe rrugën ligjore. Pra, nuk do të ndalem deri në fund”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se Idrizi e ka denoncuar të enjten në polici ministrin Bytyqi për kërcënim fizik.

Sipas tij, të mërkurën u kërcënua fizikisht nga Bytyqi pasi nuk pranoi të nënshkruante një dokument, siç thotë ai, të jashtëligjshëm siç i kishte kërkuar ministri.

Bëhet fjalë për një opinion ligjor të cilin e ka kërkuar ditë më parë Agjencia e Akreditimit nga MASHT-i meqë Komisioni i ankesave në Agjenci jashtëligjshëm kishte akredituar programe studimore duke i marrë kompetencat e bordit.

Idrizi ka thënë se opinionin nuk e kishte shkruar zyra e tij por ia kishin dërguar nga kabineti i Ministrit vetëm që ta nënshkruante. Sipas tij, meqë juristët e zyrës së tij e kanë vërejtur se dokumenti nuk është i bazuar në ligj, është dashur ta ndryshojnë e kjo thotë të mos i ketë pëlqyer Ministrit.

Ministri Bytyqi e kishte mohuar për gazetën se e ka kërcënuar Idrizin, por nuk kishte treguar nëse dokumenti të cilin i kërkoi Idrizit ta nënshkruajë ishte i jashtëligjshëm.