MASHTI – me korrupsion dhe shkelje ligjore – kundër cilësisë së teksteve shkollore

Shkruan: Shukri Klinaku

1.
Procesi i përpilimit të teksteve shkollore dhe pajisja e nxënësve me to, në 3 vitet e fundit ka pësuar rënie në cilësi.
2.
Korrupsioni dhe shkeljet ligjore në procesin e përpilimit të teksteve shkollore dhe pajisjes së nxënësve me to është më i madh se asnjëherë më parë.
3.
Në vijim do të sjellë para opinionit fakte për korrupsion dhe shkelje ligjore në një segment të caktuar të përpilimit të teksteve shkollore, të cilin segment e ka në përgjegjësi 100% MASHTI, madje, saktësisht ministri/ ministrja! Duhet theksuar se segmentin për të cilin do të flas e ka 100% në dorë ministri/ ministrja, sepse, zakonisht, kreu i MASHTI-it, përgjegjësinë për cilësinë e ulët të teksteve shkollore, e hedh të pjesëmarrësit e tjerë në proces.
4.
Rruga e një teksti shkollor, deri sa ai të shkoj në dorën e nxënësve, është kjo: ministria shpallë konkurs për tekstet shkollore të lëndëve të caktuara; aplikojnë shtëpitë botuese me dorëshkrime të autorëve të angazhuar prej tyre; pastaj MASHTI përzgjedh recensentët, të cilët do të vlerësojnë dorëshkrimet; dorëshkrimet me vlerësim pozitiv të recensentëve marrin lejen e botimit; dhe shndërrohen në tekste shkollore dhe vazhdojnë rrugën deri te nxënësi.
5.
Pra, segment shumë i rëndësishëm në përpilimin e teksteve shkollore, sikurse shihet është përzgjedhja e recensentëve, të cilin segment e ka në dorë 100% ministri/ministrja e MASHTI-t. Deri më tani në këtë segment të përpilimit të teksteve shkollore është bërë korrupsioni dhe shkeljet më të mëdha ligjore.
6.
Sipas ligjit për tekstet shkollore, neni 7, pika 7.2: “Recensentët për vlerësim të dorëshkrimeve të një teksti shkollor përbëhen së paku nga tre ekspertë të caktuar nga MASHTI, njohës të lëmit përkatës”. Tutje këtë çështje e stërhollon Udhëzimi administrativ 18/2018 (për recensentët), neni 4, pika 4.2.1 e të cilit precizon se, së paku një anëtar i komisionit recensues duhet të jetë “mësimdhënës universitar/ punonjës shkencor i lëndës përkatëse me gradën më të lartë shkencore”.
7.
Përpiluesit e UA 18/2018, kanë pasur parasysh praktikën pozitive të vlerësimeve, ligjin mbi arsimin e lartë, si dhe praktikën e statuteve të universiteteve – sipas të cilave nuk mund ta vlerësoj punën e një autori që ka gradën më të lartë shkencore (doktor shkence) një vlerësues që ka gradë më të ulët shkencore. Me fjalë tjera, ministrja nuk ka guxuar në asnjë mënyrë që ta shkelë këtë nen të UA 18/2018 dhe atë për tri arsye: e para, është normë ligjore; e dyta, është çështja e cilësisë së tekstit shkollor; e treta, është mundësia shumë më e madhe për konflikt interesi dhe korrupsion të hapur – sepse të përzgjedhurit për recensentë, të cilët nuk janë me gradën më të lartë shkencore (doktor shkence), zakonisht janë të varur prej autorëve, dorëshkrimet e të cilëve i vlerësojnë. Ata janë shpesh asistent të autorëve, apo edhe më keq, i kanë pasur, apo i kanë ende mentorë në gradimet e tyre. Të gjitha këto raporte kanë ndodhur shumë shpesh; pra, asistenti ia ka recensuar dorëshkrimin profesorit të vet, apo të mentorit të vet. Ndërsa, në vijim do të shihen rastet e konkursit të fundit, me emër e me mbiemër.
8.
Më 12.12.2022, MASHTI shpalli jashtëligjshëm një konkurs për 14 tekste shkollore. Ashtu sikurse u shpall jashtëligjshëm, edhe të gjitha fazat e realizimit të këtij konkursi ishin të jashtëligjshme. Ndërsa segmenti i përzgjedhjes së recensentëve, së paku për 4 tekste është bërë në shkelje të nenit 4 të UA 18/2018 (për recensentët), duke ndërtuar komision recensues me asnjë doktor shkence; pra vetëm me asistentë/asistente, mësues/ mësuese.
9.
Konkretisht: dorëshkrimet e MATEMATIKËS 1, nga aspekti i përmbajtjes shkencore i ka recensuar një asistent i Fakultetit ekonomik (UP), me gradën shkencore master; dorëshkrimet e MATEMATIKËS 3, nga aspekti i përmbajtjes shkencore i ka recensuar një mësimdhënëse e një shkolle të mesme të ulët, me gradën profesionale master i edukimit; dorëshkrimet e NJERIU DHE NATYRA 2, nga aspekti i përmbajtjes shkencore i ka recensuar recensentja me gradën shkencore master në biologji, me vend të paqëndrueshëm të punës (së paku nuk shihet vendi i qëndrueshëm i punës nga CV-ja që ka botuar vetë recensentja); dorëshkrimet e NJERIU DHE NATYRA 5, nga aspekti i përmbajtjes shkencore i ka recensuar një asistent i FShMN-së, me gradën shkencore master.
10.
Për vërtetësinë e këtyre të dhënave shih dokumentet që i bashkëngjiten këtij shkrimi.
11.
Ministrja dhe MASHTI kanë bërë shkelje të rëndë ligjore, kanë bërë korrupsion ose së paku ka hapur rrugën për korrupsion, kanë pranuar recensione në të cilat recensenti dhe autori kanë qenë plotësisht në konflikt interesi; dhe çka është më e rëndësishmja për këtë proces – kanë përzgjedhur një komision recensues që nuk premton cilësi të teksteve shkollore. Autori i këtij shkrimi ka ushtruar padi për këto shkelje në gjykatat kompetente.
12.
Derisa të jenë në qarkullim tekstet shkollore që kanë dalë nga konkursi i fundit i MASHTI-t – vula e turpit, vula e korrupsionit dhe vula e shkeljeve ligjore të MASHTI-t shihet e shtypur në faqet e para të këtyre teksteve shkollore.