Loja e Albinit

Shkruan Çim Peka

Pas fitores në zgjedhje, Albin Kurti po manovron me dinakëri në terrenin e minuar politik të Kosovës dhe jo vetëm. Duke pasur përballë një LDK të kontaminuar, lideri i Vetëvendosjes me lehtësi po e shtyn procesin, aty ku me gjasë e ka planifikuar herët.

Falë ngërçit të krijuar në bisedimet me Isa Mustafën, (për një post për të cilin të dy partitë bashkë nuk i kanë votat) është shtyrë për një periudhë të pacaktuar formimi i qeverisë së re kosovare. Albini me mjeshtëri, u shfaq përmes një videomesazhi në opinionin publik, duke e nxjerrë LDK-në, një parti aspak parimore. Mbi të gjitha, fajtore për dështimin e negociatave disamujore.

Megjithate, as VV-ja nuk po del dhe aq subjekt i udhëhequr nga parimet. Me një deputet më shumë se Lidhja Demokratike, Kurti është i vetëdijshëm se duhet të japë goxha pushtet, që të zgjedhet kryeministër. Por, në një nga momentet e radhës së dobësisë së Mustafës, VV e kapitalizoi me shpejtësi manovrën e parë.

Zgjedhja e Glauk Konjufcës kryetar Kuvendi, i ktheu negociatat për ekzekutivin në pikën zero. Sërish fitore për Lëvizjen. Kujt më shumë se asaj, nuk i duhet kohë shtesë. Sa më gjatë të jetë e mundshme. Arsyeja është e thjeshtë.

Patatja e nxehtë është në dorën e kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit. SHBA e BE e prisnin me padurim formimin e qeverisë së re, për ta finalizuar marrëveshjen me Serbinë. Sado kombëtar e inteligjent të jetë kryeministri i ri, në këtë finale të rrezikshme dialogu, do të jetë i rrethuar nga mbështetësit e ndarjes së Kosovës.

Njëri është president i Kosovës, tjetri kryeministër i Shqipërisë. Hashim Thaçi e Edi Rama i kanë bërë pazaret me Aleksandër Vuciçin, por janë bllokuar nga kryeneçësia e Ramush Haradinajt që dha dorëheqje nga kreu i qeverisë.

Plani i ndarjes është pezulluar, por në tavolinë mbetet. Të fitosh kohë tani, është imperative i Albin Kurtit. Ai e dinte se amerikanëve dhe evropianëve do t’u humbiste durimi. Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk do të jetë më prioritet kryesor së paku për dy vjet.

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria dhe Kosova mund të lëvizin përpara politikisht. Të zhytur në kalbësinë e regjimit korruptiv që kanë krijuar, dy partnerët e ngushtë, Rama e Thaçi, nuk do të jenë më në pushtet. I pari është në përfundimin e sundimit të tij, i dyti mund të ketë telashe së shpejti me Gjykatën Speciale në Hagë, ose në rastin më të mirë i cliruar prej saj pas dy a tri viteve. Gjithmonë nëse ka vepruar vetëm si peng i Hagës dhe nuk ka pasur arsye të tjera edhe më të pista.

Me shtyrjen e marrëveshjes së dëmshme mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe krijimin e rrethanave të përshtatshme politike në Tiranë e Prishtinë, për të arritur një marrëveshje të re dhe të dobishme për shqiptarët, Albin Kurti mund t’i japë një epilog pozitiv lojës së nisur tashmë.

Pritjet për “revolucionarët” e VV-së kanë qenë të mëdha, e tash janë në zbehje, pas zvarritjes së formimit të qeverisë. Megjithatë, duke e goditur pandalshëm LDK-në, Kurti mbetet më i mbështeturi.

Në variantin që nuk përjashtohet, zgjedhjet e reja, ai do ta rriste elektoratin, ndërsa e kundërta do të ndodhte me partinë e Isa Mustafës, e vënë në lojë prej liderit të VV-së.

Mes një subjekti të kalbur, me paterica e një partie ‘che-guevariste’, njerëzit në Kosovë, të etur për ndryshim, ka gjasa qe sërish do t’i besonin Albinit, edhe pse kesaj radhe jo me entuziazmin e parë.