Mbi 3 mijë punëtorë të Telekomit mund të mbesin 7 muaj pa paga

Telekomit të Kosovës i janë tërhequr të gjitha mjetet financiare që kanë pasur nga llogaria bankare në “Raiffeisen bank”.

Kjo është bërë pas një vendimi dhe kërkese nga auditori Ilir Mulhaxha, vëllai i deputetet së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Auditori Mulhaxha ka kërkuar që të gjitha fondet e Telekomit t’i kalojnë në llogari kompanisë “Dardafon”, kompani kjo nën pronësinë e Blerim Devollit.

Pas urdhrit për përmbarim, nga llogaritë e kësaj ndërmarrjeje janë tërhequr 3.2 milionë euro, që kanë qenë mjete që Qeveria ia ka dhënë Telekomit si ndihmë financiare gjatë pandemisë.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se me të hyrat që kanë iu duhet rreth 7 muaj të punojnë me llogari të bllokuara dhe pa paga për të larë borxhin.

“3500 punëtorë të Postës dhe Telekomit nga sonte janë të papunë. Ata janë të rrezikuar edhe nga bankat sepse mbi 30 për qind të punëtorëve janë në kredi. Bllokimi i llogarive nuk është vetëm mosmarrja e pagave, por në këtë gjendje që jemi për ato 26 milionë që ishin, diku rreth 7 muaj me të hyrat që janë në Telekom, janë të bllokuara xhirollogaritë”, ka thënë Balaj.

Urdhri për përmbarim është dhënë pasi që të martën nuk është arritur një marrëveshje në mes të Qeverisë, Bordit të Telekomit dhe përfaqësuesve të “Z-Mobile”.