Mbyllet qendra e masazhit në fshatin Sojevë të Ferizajt

Mungesa e çmimores, mungesa e librezës sanitare, pëlqimi minimalo-teknik, kushtet higjienike si dhe dyshimi për zhvillim të dukurive amorale detyron Inspektoriatin Komunal të mbyll qendrën e masazhit në fshatin Sojevë të Ferizajt.

Përmes një komunikate për media komuna e Ferizajt ka njoftuar qytetarët se qendra e posahapur e masazhit në fshatin Sojevë është mbyllur për shkak mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe dyshimit se në atë qendër zhvilloheshin dukuri amorale.

“Sot, bashkë me Policinë e Kosovës – Njësinë Kundër Trafikut me Qenie Njerëzore në Ferizaj, Inspektorati i Komunës mbylli qendrën e masazhit në Sojevë të Ferizajt, qendër kjo e hapur së fundmi dhe tërësisht në mungesë të dokumentacionit të nevojshëm siç është mungesa e çmimores, librezës sanitare, pëlqimi minimalo-teknik dhe i kushteve higjieno-sanitare. Nga shkaqet e lartpërmendura dhe dyshimet për zhvillimin e dukurive amorale është mbyllur kjo qendër dhe ndaj saj ka nisur procedura hetimore e gjyqësore në zbardhjen e gjithë rrethanës së rastit.

Inspektorati i Ferizajt është i pakompromis ndaj veprimtarive biznesore që zhvillojnë veprimtarinë e tyre, pa kushtet e dokumentacionin e nevojshëm që parasheh ligji, aq më tepër ndaj bizneseve ku hedhen dyshime për zhvillimin e dukurive devijante.” thuhet në komunikatë.

Në Ferizaj aktualisht nuk funksionon asnjë biznes i kësaj natyre, kjo falë vigjilencës së Inspektoratit të Komunës, për të bërë verifikimet përkatëse të dokumentacioneve të nevojshme si dhe vendosmërisë për mbrojtjen e qytetarëve nga dukuritë negative./gazetametro.net