Krasniqi tregon hapat që duhet të merren për ta jetësuar peticionin për largimin e kryetarëve në veri

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas përgatitjes së kërkesës për inicimin e procedurave për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

Krasniqi ka listuar disa çështje kryesore lidhur me këtë proces që duhet ndjekur në mënyrë që peticioni për largimin e kryetarëve në veri të jetësohet.

“Udhëzimi administrativ, përcakton qartë procedurat e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë. Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar”.

“Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje. Pas pranimit të kërkesës Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në. Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë”, tha Krasniqi.

Më tej, ai bëri të ditur se pas pranimit të kërkesës dhe njoftimit, MAPL-ja dhe KQZ-ja vijojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara me udhëzimin administrativ.

“Kërkesa e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve”, tha Krasniqi.

Krasniqi th ase deri në këto momente nuk ka asnjë kërkesë të pranuar nga kryesuesit e kuvendeve komunale dhe asnjë njoftim nga kryesuesit për MAPL-në.

“Ne jemi të gatshëm që sapo ky proces të nisë zyrtarisht të plotësojmë menjëherë detyrat tona. MAPL do të njoftojë publikisht për vijimësinë e këtij procesi”, shkroi Krasniqi.