Mehmetaj: Nuk kam pasur njohuri për njerëz të arrestuar, këto janë gënjeshtra

Ish-anëtari i BIA-s, Brahim Mehmetaj nga banka e dëshmitarit në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë ka thënë se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në arrestimin e ndonjë personi apo mbajtjes së njerëzve në ndonjë qendër ndalimi në Zllash, siç pretendon prokuroria.

Mehmetaj ka thënë se këto janë gënjeshtra të bëra nga persona të cilët sipas tij kanë pasur qëllime të caktuara.

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Mehmetaj është pyetur nga prokurorja Silvia D’Ascoli, nëse ai ka marrë pjesë në arrestimin, por edhe lirimin e personave nga një qendër ndalimi në Zllash.

Krejt këto i ka mohuar dëshmitari Mehmetaj sipas së cilit gjykata duhet të merret me ata që kanë shpifur.

Prokurorja D’Ascoli: Ju morët pjesë në arrestimin e disa prej personave që u dërguan të dhoma e ndalimit në Zllash apo jo?

Dëshmitari Mehmetaj: Mund ta quaj lirisht gënjeshtra e vitit, në cilin vit është thënë nuk e di, por besoj se është gënjeshtra më e madhe që është thënë ndonjëherë në atë vit. Unë nuk kam marrë pjesë asnjëherë në asnjë arrestim, në asnjë vend, as Zllash, as asnjë vend në Kosovë që ekziston, kjo temë arrestim për mua nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Prokurorja D’Ascoli: Morët pjesë në keqtrajtimin e të ndaluarve që u mbajtën në dhomat e ndalimit në Zllash, në shtëpinë e sigurt të BIA-s apo jo?

Dëshmitari Mehmetaj: Nuk kam pasur dijeni për asnjë vend të ndalimit dhe as ndonjë të arrestuar apo të burgosur, çështja e keqtrajtimit e këto janë tema që janë komplet gënjeshtra të caktuara, për qëllime të caktuara, nga individë të caktuar, nuk kanë të bëjnë me mua dhe jam përgjegjës para drejtësisë, para çdo kujt, se ky veprim nuk është i imi, nuk e kam bërë asnjëherë dhe marr përgjegjësi për çdo gjë në këtë punë, sikur që do të duhej të merrnin përgjegjësi edhe njerëzit që kanë sajuar gënjeshtra dhe ju kanë lajthitur ju prokurorinë për të më futur mua brenda grupit kriminal.

Prokurorja D’Ascoli: Ju morët pjesë në lirimin e disa prej të ndaluarve që mbaheshin në bazën e BIA-s në Zllash kur filloi ofensiva serbe më datën 18-19 prill, apo rreth këtyre datave, në vitin 1999, apo jo, morët pjesë në lirimin e tyre?

Dëshmitari Mehmetaj: Me përgjegjësi të plotë penale, ligjore, morale, familjare e të gjitha me radhë, nuk kam marrë pjesë, nuk kam parë ndonjë gjë të tillë, nuk kam qenë prezent në ato vende ku ju thoni dhe nuk i kam kryer unë këto veprime asnjëherë. Krejt është gënjeshtër prej njerëzve me qëllime të caktuara me të cilët unë propozoj gjykatësen e nderuar të merret me ta për këto gënjeshtra.

Gjatë marrjes në pyetje, prokurorja ka thënë se mospërputhje në mes të deklaratave që dëshmitari Mehmetaj i ka dhënë ZPS-së në intervistën e mëparshme e atyre që po i jep sot para trupit gjykues.

Lidhur me këtë, Mehmetaj ka thënë se mund të ketë harruar ndonjë detaj për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar nga lufta e fundit në Kosovë, por ka shtuar se është nën betim dhe para trupit gjykues po e deklaron vetëm të vërtetën.

Ndërsa avokati mbrojtës, Julius Von Bone ka kërkuar nga Mehmetaj të sqarojë nëse ndonjëherë ka qenë në dijeni për persona të ndaluar në Zllash.

Lidhur me këtë, Mehmetaj ka thënë se kishte dëgjuar fjalë, por të cilat nuk i ka besuar e as vërtetuar ndonjëherë.

“Në drejtim të vërtetës edhe e kam thënë atëherë në atë deklaratën para prokurorit që kjo është krejt çka unë e kam dëgjuar prej burimeve jo të sigurta, e këtu e kam thënë para gjykatës që nuk kam pasur asnjë informacion zyrtar asnjëherë që është ndaluar dikush e asnjëherë nuk kam pas asnjë informacion që unë e kam ditë realisht që është ndaluar dikush. Në kuadër të organizimit dhe përgjegjësisë së gueriles BIA nuk ka pasur asnjë njeri, i cili ka pasur kompetencë të ndalojë, të mbajë ose të organizojë ndalime për asnjë lloj njeriut të asnjë lloj natyre. Guerilja BIA me përgjegjësitë e saj nuk ka pasur kompetenca territoriale, nuk ka pasur territor të cilin e ka kontrolluar, nuk ka pasur polici ushtarake brenda gueriles BIA dhe nuk ka pasur mekanizëm të sigurisë për të vlerësuar se kë duhet ndaluar ose kush paraqet rrezik për këtë punë”, ka thënë dëshmitari Mehmetaj.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës, Mehmetaj ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka dëgjuar se anëtarë të BIA-s kanë keqtrajtuar njerëz dhe se këtë e ka dëgjuar për herë të parë kur e ka lexuar aktakuzën e prokurorisë.

“Nuk kam dëgjuar asnjëherë derisa nuk e kam lexuar në aktakuzën që është përpiluar prej prokurorisë, aty në aktakuzë e kam lexuar dhe jam çuditur me atë jo realitet, atë jo të vërtetë”, ka thënë Mehmetaj.

Me këtë ka përfunduar dëshmia e Brahim Mehmetaj që është dëshmitari i parë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës, aktakuza ndaj të cilit është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Ai është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

Seanca e radhës gjyqësore ndaj Mustafës do të mbahet më 28 mars.