Merkel nuk e bind, Macron bllokon Shqiperinë e Maqedoninë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk ka arritur të bindë presidentin francez, Emmanuel Macron, për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkel u shpreh: “Kemi disa diferenca sa i përket problematikave që janë shfaqur. Ashtu siç e dini, duhet një vendim unanim për çeljen e negociatave”.
Ndërsa Macron tha se përshëndet reformat e ndërmarra nga dy shtetet ballkanike, por theksoi gjithashtu se “do t’i përmbahemi deklaratave tona politike sa i përket çështjeve kaq të rëndësishme”.

Macron tha se Ballkani është një rajon strategjik për Evropën, por fillimisht duhet të reformohet procedura e pranimit. Ai vuri në dukje edhe faktin se rinia shqiptare emigron gjithnjë e më shpesh në Bashkimin Evropian.

“Rinia shqiptare vjen më së shumti në BE dhe e shohim më së shumti në Francë. Unë do të ndalesha sërish te rithemelimi i procedurës apo riparja e saj. Po e shpall vizionin tim gjeopolitik në krah të kancelares, por më duhet të shpjegoj edhe këto gjëra të tjera”, u shpreh Macron.

Dallimi mes dy vendeve u pa i qartë, në konferencën e përbashkët. Vetë kancelaria gjermane pranoi se ka diferenca mes dy vendeve, themeluese të BE-së, sa i përket zgjerimit.

Nga ana tjetër presidenti francez tha se më përpara duhet reformimi i BE-së dhe më vonë mund të diskutohet për zgjerimin.

Macron tha se vlerësonte reformat e dy vendeve (Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut) të ndërmarra deri tani, por sipas tij asnjë nga këto vende nuk është gati.