Minatorët në grevë qe disa ditë, kryeministri merrë pjesë në një konferencë, flet se si duhet të jetë një lider i mirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duket se nuk ka interes për minatorët e Trepçës. Ai dje refuzoi të takoi minatorët për shkak se kishte një takim me një gazetar gjerman.

Kurse sot, Kurti po merr pjesë në punimet e Konferencës Ndërkombëtare për Shkencë Teknologji, Biznes dhe Inovacion, që po e organizon kampusi inovativ i UBT-së.

Atje i pari i qeverisë e lavdëroi qeverisjen e tij përkundër se ka ankesa nga Policia e Kosovës sa i përket pagave e shtesave të rrezikshmërisë dhe i ka në grevë minatorët.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha Kosova gjatë dy viteve me qeverisjen e tij ka bërë përparim të njohur ndërkombëtarisht në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Ai ka folur edhe për cilësitë fundamentale të liderit që e definojnë një lider të mirë dhe të madh.

Dy cilësitë kryesore të një lideri të mirë, sipas kryeministrit, janë efektiviteti pragmatik për të tërhequr dhe mirëmbajtur ndjekës ose mbështetës, dhe përkushtimi parimor ndaj një kauze të drejtë, sepse pragmatizmi pa parime është bosh, kurse parimi pa pragmatizëm është i pafrytshëm. Ndërkaq, duke folur për cilësitë që e përcaktojnë një lider të madh, ai tha se ata definohen nga vullneti për të sakrifikuar interesin e tyre për një kauzë më të madhe. Pra, liderët e mëdhenj janë aq të dedikuar ndaj parimeve të tyre dhe aq të vendosur për t’i mbrojtur ato në mënyrën më të mirë, sa që janë të gatshëm të sakrifikojnë interesin e tyre personal.

“Për të dhënë një shembull se si duket lidershipi parimor në një shoqëri të lirë, demokratike. Në dy vjet e gjysmë në detyrën tonë të deritanishme, ne kemi bërë përparim të njohur ndërkombëtarisht në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Këtë vit, Freedom House e renditi Kosovën në vendin e tretë në mbarë botën për progresin demokratik nga viti në vit. Projekti Botëror i Drejtësisë e ka renditur Kosova të parën në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit dhe të dytin në botë për përmirësimin më të madh në fushën e sundimit të ligjit gjatë vitit 2022. Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, ne jemi përmirësuar për 20 vende në dy vitet e fundit. Ne jemi përmirësuar gjithashtu për 22 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij dhe jemi renditur të parët në Ballkanin Perëndimor në Indeksin e Demokracisë Zgjedhore të Institutit VDM. Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022 konfirmon se Kosova ka rritur përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Me fjalë të tjera, tani më shumë se kurrë, ne po demonstrojmë se është e mundur të drejtohet vendi në mënyrë efektive dhe morale” tha ai./Demokracia.com/