Ministria e Bujqësisë vazhdon me pagesën e dytë të subvencioneve për bujqit

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka rifilluar ekzekutimin e pagesës së dytë për të gjithë përfituesit e subvencioneve.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se duke marrë parasysh vonesat e shkaktuara në këto pagesa, ministri i MBPZHR-së, Faton Peci, me marrjen e këtij mandati ka kërkuar që të intensifikohet procedimi i të gjitha pagesave direkte për përfituesit e programeve nga viti i kaluar.

“Ministri Peci ka theksuar se një ndër prioritetet në politikat e tij do të jetë dhënia e përkrahjes ndaj fermerëve përfitues në kohën e duhur. Po ashtu ministri ka premtuar se do të angazhohet që me shumë përkushtim të jetë afër fermerëve, me qëllim që veprimtaritë e tyre bujqësore të fuqizohen dhe zhvillohen përmes edhe mbështetjes së ministrisë. Krahas kësaj, Peci premton se efikasiteti në punë dhe transparenca do të jenë ndër objektivat kryesore”, thuhet në njoftim.