Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i vranët dhe i ftohtë. Gjatë ditës do të fillojnë reshjet e borës të cilat do të vijnë duke u intensifikuar. Në disa ultësira priten reshje shiu ose reshje të përziera.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje shiu e bore në viset kodrinore-malore. Në veri të Malit të Zi priten reshje të dendura bore edhe nëpër ultësira.

Të dielën në Kosovë pritet mot plotësisht i vranët dhe me reshje bore të cilat gjatë ditës në disa ultësira mund të kthehen në reshje shiu. Pasdite dhe në mbrëmje në tërë Kosovën reshje të fuqishme bore dhe stuhi dëbore ku priten edhe shtresa të mëdha bore sidomos në viset kodrinore-malore, por edhe në shumë ultësira.

Në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore mot krejtësisht i vranët dhe me reshje shiu nëpër ultësira dhe reshje bore në viset pak më të larta kodrinore-malore. Pasdite dhe në mbrëmje priten reshje të fuqishme shiu në Shqipëri si dhe stuhi apo shtrëngata të fuqishme lokale me vetëtima dhe bubullimë. Në verilindje dhe lindje si dhe shumë vise kodrinore-malore reshje bore. Reshje intensive bore priten edhe në perëndim dhe veriperëndim të Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjatë natës reshje të dendura bore edhe nëpër ultësirat e Maqedonisë.

Është jashtëzakonisht e vështirë me e ditë kufirin mes borës dhe shiut, ose kufirin ose vendin e saktë se ku temperaturat favorizojnë shi e ku borë, por këtë ia lëmë atmosferës në rrjedhën e vet. E kemi fjalën për tërë rajonin sepse sa i përket Kosovës bora e dendura është më se e sigurtë në shumicën absolute të territorit.

Të hënën ftohtë dhe me reshje të herëpashershme bore. Në Kosovë rritje e trashësisë së borës. Intensiteti i reshjeve do të vijë duke u zvogëluar. Pritet atmosferë e vërtetë dimërore.

Përmirësimi substancial i motit do të fillojë nga fundi i javës./Meteoballkan