Mujka: Po tentohet që të fajësohet “Ibër-Lepenci” për nivelin e ujit në liqenin akumulues

Kryeshefi Ekzekutiv i Ibër-Lepencit, Farku Mujka, ka reaguar pas publikimi të disa fotografive ku shihet se ka rënë niveli i ujit në Liqenin Akumulues.

Ai ka thënë se përsëri po tentohet që të mbulohen dështimet e komunës së Mitrovicës, duke e akuzuar Ibër-Lepencin.

“Tash a ka kjo ndonjë prapavijë politike që të sulmohet Ibër-Lepenci? Mendoj që edhe zogjtë në qiell e dijnë përgjegjen.”, shkruan Mujka.

Kujtojmë se Mujka po hetohet për korrupsion, ku dihet se disa ditë më parë ai ishte arrestuar dhe iu gjetën 60 mijë euro.

Postimi i plotë:

Disa “zëdhënës” komunal po tentojnë sërish të mbulojnë dështimet, gabimet dhe mospunën e institucioneve komunale.

Sot përsëri po tentohet që të fajësohet “Ibër-Lepenci” për nivelin e ujit në Liqenin Akumulues, njëjtë sikur me rastin e vërshimeve në Janar kur dëmet ishin milionëshe e arsyeja kryesore ishte mbyllja (e besa edhe saldimi) i portave në liqenin akumulues.

Sot, përkundrazi ato janë harruar të mbyllen, njëjtë si para dy muajsh kur kishim foto të njëjta.

Sa për informim niveli i ujit në Çabër e Kushtovë është normal për një ditë vikendi.

Nuk ka asnjë arsye tjetër që po potencohet në portale. Kanali i Ibër-Lepencit ka sasinë normale dhe furnizon normalisht edhe fabrikat e ujit, KEK-un, Ferronikelin dhe gjithë bujqit që kanë nevojë me i ujit arrat e tyre.

Tash a ka kjo ndonjë prapavijë politike që të sulmohet Ibër-Lepenci? Mendoj që edhe zogjtë në qiell e dijnë përgjegjen.

A ka dhënë dikush përgjegjësi për dëmet e shkaktuara në Janar dhe para dy muajsh?

Adresa është Komuna e Mitrovicës. Aty kërkoni përgjigjet.