Mustafa: Nuk i jap të drejtë VV-së të na caktojë se si LDK-ja duhet të vendosë për kryeministrin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se një koalicion ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes do të ishte më parimore për vendin.

“Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV-ja duhet të jetë kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV-së të na caktojë se si LDK-ja duhet të vendosë për kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës”, ka shkruar ai.

Më tej, Mustafa theksoi se në qoftë se janë të bindur se edhe njërës edhe tjetrës palë i takon kryeministri, kjo nuk do të thotë se duhet të hapim frontin ndërmjet veti.

“Kemi plot gjëra të mira që mund t’ia adresojë njëra palë tjetrës për bashkëpunimin tonë, por kemi edhe të këqia. Kjo nuk është mënyrë që ne të tentojmë të fitojmë vota. Më shumë preferoj të ndërtojmë front të përbashkët, para ose pas-zgjedhor, për t’ua pamundësuar PAN-ave dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimi të shtetit”, është shprehur ai.

Statusi i plotë:

Qytetarë të nderuar,

Jam angazhuar, i mbetem besnik idesë dhe përkushtimit që vendi të qeveriset nga partitë e deritanishme opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Në situatën në të cilën gjendemi, këtë e konsideroj zgjidhjen më të mirë.

Sikurse LDK-ja, ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje ka specifikat e veta. Ka njerëzit me të cilët llogarit fitoren dhe qeverisjen. Kanë ambientin e brendshëm, që dallon.

Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV-ja duhet të jetë kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV-së të na caktojë se si LDK-ja duhet të vendosë për kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës.

Bashkëpunimin e konsideroj proces të respektit reciprok. Kam gëlltitur të kaluarën, sepse e kam vlerësuar më lart interesin e vendit sesa vetëveten.

Jemi shprehur pozitivisht për koalicion me VV-në në interes të forcimit të shtetit dhe dekriminalizimit të vendit.

LDK-ja, nuk e kërkon kryeministrin, sepse nënvlerëson z. Albin Kurti dhe meritat e tij. Por se vlerëson znj. Osmani dhe kërkesat e anëtarësisë. Vlerëson kompetencën e LDK-së, ekipin e saj, për qeverisje të mirë e pa korrupsion. Kjo është arsyeja e kërkesës tonë për kryeministër.

Në qoftë se jemi të bindur se edhe njërës edhe tjetrës palë i takon kryeministri, kjo nuk do të thotë se duhet të hapim frontin ndërmjet veti. Kemi plot gjëra të mira që mund t’ia adresojë njëra palë tjetrës për bashkëpunimin tonë, por kemi edhe të këqija. Kjo nuk është mënyrë që ne të tentojmë të fitojmë vota. Më shumë preferoj të ndërtojmë front të përbashkët, para ose paszgjedhor, për t’ua pamundësuar PAN-ve dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimi të shtetit. IM