Nagavci: Gjysmëvjetori i dytë fillon nesër, për skenarët e zhvillimit të mësimit vendosin task forcat në nivel komune

Gjysmëvjetori i dytë në të gjitha shkollat do të nis nesër sipas planifikimeve. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

E pyetur se shkaku i gjendjes me pandeminë COVID-19 a ekziston mundësia që të ketë masa shtesë për fillimin e procesit mësimor, Nagavci tha se kjo u takon task forcave në nivel komune që të marrin vendime.

“Nesër fillon gjysmëvjetori i dytë sipas planifikimit. Pasi në fuqi janë të gjithë skenarët, përfshi ata me mundësinë për mësimin nga distanca apo me numër të kufizuar të nxënësve, do të jetë në kompetencë të Task forcave në nivel komune të marrin vendim për ndonjërin nga skenarët në rast nevoje”, u shpreh ministrja Nagavci.

Ndryshe kujtojmë se SBASHK-u ka thënë se nëse Qeveria nuk i përmbahet afateve për Ligjin e pagave deri të mars, atëherë do të ketë grevë.

SBASHK-u thekson se Qeveria do të jetë përgjegjëse pse nuk ka mbajtur fjalën dhe premtimin e dhënë.

“Ky nuk është as shantazh, as kërcenim, po paralajmërim me kohë se grevë mund të ketë”, thuhet në reagim.